Bojkot në OKB ndaj Netanyahut/ “Turp historik për njohjen e Palestinës”, fjalimi i kryeministrit izraelit shkakton zemërim dhe largime masive

Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, delegatë nga e gjithë bota dolën me furi dhe u larguan masivisht nga salla përpara se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu të mbante fjalimin e tij për të mbrojtur ofensivën ushtarake të Izraelit në Gaza.
Dhjetëra përfaqësues diplomatikë, përfshirë ata nga Irani dhe shumë vende të tjera të Lindjes së Mesme, Azisë, Afrikës dhe Amerikës Latine, braktisën sallën në shenjë proteste të organizuar, duke theksuar izolimin gjithnjë e më të thellë ndërkombëtar të udhëheqësit izraelit.
Në fjalimin e tij, Netanyahu sulmoi ashpër njohjen ndërkombëtare të shtetit palestinez, duke e cilësuar si një akt që shpërblen vrasësit, përdhunuesit dhe djegësit e fëmijëve.
Ai paralajmëroi se Izraeli nuk do të pranojë vetëvrasje kombëtare për hir të presioneve ndërkombëtare dhe i cilësoi disa liderë perëndimorë si të dobët dhe të paaftë për të përballuar, sipas tij, mediat armiqësore
“Do ta tregoj të vërtetën tonë, do të dënoj ata udhëheqës që, në vend që të dënojnë kriminelët e Hamasit, duan t’u japin atyre një shtet në zemër të Izraelit”, u shpreh Netanyahu.
Ai gjithashtu iu drejtua drejtpërdrejt palestinezëve në Gaza, duke deklaruar se lufta mund të ndalet menjëherë nëse Hamasi çarmatosej, dorëzonte pengjet dhe rripi i Gazës demilitarizohej.
Gjatë fjalimit, Netanyahu përdori një hartë të madhe të rajonit me titullin mallkim, si simbol i kërcënimeve që ai pretendon se i kanosen Izraelit.
Në një veprim të pazakontë dhe propagandistik, Zyra e Kryeministrit izraelit u shpreh se fjalimi i tij po transmetohej drejtpërdrejt në Gaza, përmes altoparlantëve të vendosur përgjatë kufirit dhe përmes mesazheve me tekst që, sipas tyre, u dërguan në telefonat e civilëve palestinezë dhe militantëve të Hamasit.
Netanyahu gjithashtu festoi ato që e quajti fitore strategjik, duke përmendur goditjen e programit bërthamor iranian dhe eliminimin e udhëheqësit të Hezbollahut në Liban. Ai theksoi se Izraeli ka shtypur pjesën më të madhe të makinerisë terroriste të Hamasit dhe synon ta përfundojë operacionin ushtarak sa më shpejt të jetë e mundur.
Por ndërkohë, realiteti në terren dhe reagimet ndërkombëtare janë shumë të ndryshme. Sipas mediave të huaja, ofensiva izraelite në Gaza ka shkaktuar mbi 65,000 viktima palestineze, ka zhvendosur mbi 90% të popullsisë dhe një numër në rritje të njerëzve që po vdesin nga uria për shkak të bllokadës dhe shkatërrimit të infrastrukturës civile.
Në një seancë të mëparshme të OKB-së këtë javë, komb pas kombi dënoi sulmin e Hamasit të vitit 2023, që vrau rreth 1,200 izraelitë dhe shkaktoi rrëmbimin e 251 pengjeve. Por shumë vende bënë gjithashtu thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në Gaza dhe për rritje të ndihmës humanitare, duke shprehur shqetësim të thellë për gjendjen e civilëve palestinezë.
Në këtë sfond, Netanyahu po përballet me akuza për krime lufte, një urdhër arresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, si dhe hetime për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, pas një padie të paraqitur nga Afrika e Jugut.
Po ashtu, vende si Australia, Kanadaja, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe të tjera kanë njoftuar kohët e fundit njohjen zyrtare të një shteti palestinez, një lëvizje që Netanyahu e ka quajtur turp historik dhe të papranueshme për Izraelin.
Në këtë realitet të tensionuar, fjalimi i Netanyahut në OKB u shndërrua në një shfaqje përplasjesh, bojkotimesh dhe deklaratash të forta, ku ai u duk i vetmuar përballë shumicës së bashkësisë ndërkombëtare.