75 Mall Live Search
14:43 / E Shtunë, 23 Tetor 2021 / MSH

Boksierëve kosovarë u ndalohet hyrja në Serbi, reagon Komiteti Olimpik

Komiteti Olimpik i Kosovës ka reaguar pas ndalimit të hyrjes së ekipit të boksit në territorin e Serbisë.

“Komiteti Olimpik i Kosovës me shqetësim të madh ka pritur lajmin se ekspedita e boksit të Kosovës nuk është lejuar të hyjë në Serbi, për të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të boksit, që prej 24 tetor deri më 6 nëntor 2021 mbahet në Beograd të Serbisë”, thuhet në reagimin e KOK.

Sipas Komitetit, pas moslejimit të hyrjes përmes kufirit në Konçul, ekspeditës së boksit i është dashur të kthehet në Prishtinë.

Siç njofton KOK, drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës, presidenti Ismet Krasniqi dhe sekretari i përgjithshëm, Besim Aliti, janë në kontakt të vazhdueshëm me Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje emergjente dhe ekipi i boksit të Kosovës të niset sërish drejt Beogradit për të garuar i barabartë me shtetet tjera pjesëmarrëse në botëror.

KOK, po ashtu ka kontaktuar me drejtuesit e AIBA-s (Federata Botërore e Boksit), nga të cilët ka marrë premtimin se do të marrin masa të menjëhershme për t’iu mundësuar boksierëve tanë hyrjen në Serbi dhe pjesëmarrjen me të drejta të barabarta, ashtu siç kanë premtuar pas kontakteve të vazhdueshme me Federatën e Boksit të Kosovës, me të cilët drejtuesit e KOK-ut janë po ashtu në kontakt të vazhdueshëm.