75 Mall Live Search
15:05 / E Enjte, 14 Gusht 2025 / Pranvera Musa

Bolivi, dy serbë dhe një maqedonas gjenden të vdekur brenda thasëve të zinj

Një ngjarje makabre e ndodhur në Santa Cruz të Bolivisë ka tronditur opinionin publik. Tre shtetas të huaj, respektivisht dy serbë dhe një maqedonas, u gjetën të masakruar në një vilë me qira, ndërsa dëshmitarët tregojnë për skena të tmerrshme me muzikë të lartë dhe britma që paralajmëruan krimin e rëndë.

Hetimet paraprake tregojnë për një prapavijë të lidhur me rrjetin ndërkombëtar të trafikut të drogës.

Vrasja e të treve ka ndodhur në një vilë të marrë me qira në Bolivi, aty ku policia lokale edhe zbuloi trupat e Miljan Đekić (38 vjeç) nga Nishi, Dejan Lazarevski (47 vjeç) nga Strumica, si dhe të një burri të tretë ende të paidentifikuar zyrtarisht, i njohur si “Mali Kosta”.

Të tre viktimat ishin mbështjellë me qese të zeza plastike dhe të mbyllura me ngjitës, ndërsa trupat ishin fshehur në kuzhinë, të përgatitur për transport të mundshëm.

Sipas raportimeve të mediave boliviane, fqinjët alarmuan policinë për zhurma të pazakonta që vinin nga vila. “Rreth orës 23:00, dëgjuam muzikë me volum të lartë dhe pastaj britma të frikshme. Më pas, gjithçka u qetësua. Thirrëm policinë, dhe menjëherë u vendos një kordon sigurie”, deklaruan dëshmitarët.

Raporti mjeko-ligjor zbuloi skena të tmerrshme torturash. Një nga viktimat u qëllua në tëmth pas torturës, një tjetër kishte dy plumba në pjesën e pasme të kokës, ndërsa i treti kishte kafkën e thyer dhe besohet se ka vdekur nga goditjet para të shtënave.

Këto dëshmi e bëjnë të qartë se bëhet fjalë për një akt të planifikuar dhe brutal ndaj tre viktimave që dyshohet se mund të jenë anëtarë të Kartelit Ballkanik të drogës që operon në Amerikën Latine. (A2 Televizion)