“Bomba” nga Spanja: Juventus ka kryer punë me Modricin
Objektivi dhe ëndrra e madhe e Interit në afatin kalimtar të verës së kaluar, Luka Modric, duket se do të jetë juventini i radhës.
Është kjo bomba që lëshon media spanjolle, nëpërmjet revistës “Don Balon”, e cila nënvizon se drejtuesit e kampionëve të Italisë kanë në dorë fantazistin e Realit të Madridit, falë ndihmës edhe së bashkatdhetarit Mario Mandzukic.
Pikërisht ky i fundit mendohet se është fshehur pas refuzimit që nënkampioni i botës i bëri Interit në orët e fundit të afatit kalimtar të verës së kaluar, duke e ftuar atë te Juventusi, madje duke ia garantuar se blerja e tij ishte e konfirmuar edhe nga drejtuesit e torinezëve.
Modric, i cili ka shtyrë edhe refuzimin e rinovimit të kontratës me Realin e Madridit, do të zbarkojë në Torino, për të marrë çelësat e mesfushës dhe për të riformuar sërish dyshen e Realit me Cristiano Ronaldon, por edhe atë të kombëtares kroate me Mario Mandzukicin.
Gjithsesi, kjo përpjekje nuk është se fsheh prapa vetëm bisedimet private mes dy-tre shokëve, por është një plan, i cili prek edhe dy klubet, që kanë vendosur të bëjnë një “pazar” të madh mes tyre.
Me Modricin në Torino, drejt Madridit do të niset njëri nga Paulo Dybala ose Alex Sandro, duke qenë se sulmuesi dhe mbrojtësi i majtë janë objektiva kryesorë të presidentit Florentino Perez për verën e ardhshme, transmeton Panorama Sport.
Dhe fakti që Reali dhe Juventusi kanë mbetur në marrëdhënie të shkëlqyera edhe pas operacionit “Cristiano Ronaldo”, ky fakt e bën edhe më tepër të besueshëm lajmin se nga sezoni i ardhshëm, në “Allianz Stadium” do të shtohet një tjetër lojtar që ka bërë historinë e Realit të Madridit dhe futbollit evropian e botëror.