75 Mall Live Search
08:45 / E Mërkurë, 14 Gusht 2024 / M H

“Bomba nuk do të funksiononte!”/ Planifikoi sulm në koncertin e Swiftit, flet avokatja e të riut maqedonas: Ka luajtur me ide, bomba s’do të funksiononte!

Avokatja e të dyshuarit kryesor për një plan të dështuar për sulm në një koncert të yllit botëror, Taylor Swift në Vjenë, ka tentuar të dielën të ulë seriozitetin e planit, dhe ka thënë se klienti i saj vetëm ka luajtur me ide.

Autoritetet austriake kanë thënë më herët gjatë javës se i dyshuari është me origjinë nga Maqedonia e Veriut dhe i kanë kërkuar informacione Shkupit për të.

Tri koncertet e planifikuara të Swiftit këtë javë janë anuluar, pasi autoritetet austriake kanë zbuluar se një 19-vjeçar ka qenë duke planifikuar kryerjen e një sulmi vetëvrasës, i inspiruar prej grupit ekstremist, Shteti Islamik (IS).

Koncertet ishte planifikuar të mbaheshin në një stadium futbolli me mijëra njerëz.

Hetuesit austriakë kanë thënë se i riu e ka kryer së fundmi një betim ndaj IS-it dhe është rrëfyer plotësisht pasi policia ia ka bastisur shtëpinë, ku ka gjetur lëndë kimike dhe pajisje që përdorin sulmuesit për të kryer sulm me bombë.

Avokatja Ina-Christin Stiglitz, ka thënë për agjencinë e lajmeve Reuers se, i riu ka pasur kontakt me IS-in vetëm muajin e kaluar.