Bora bllokon autostradën A1 në Slloveni, mërgimtari: 4 orë pa lëviz, jam me gruan dhe fëmijët e vegjël
Mërgimtarët po përballen me vështirësi të mëdha për t’u kthyer në vendet ku punojnë e jetojnë.
Reshjet e dendura të borës dhe kushte të këqija atmosferike kanë shkaktuar bllokime të mëdha në rrugët ndërkombëtare, duke i lënë qytetarët për orë të tëra në bllokadë.
Një mërgimtar, për Klankosova.tv ka ndarë përvojën e tij, duke treguar se ai dhe familja e tij janë të bllokuar në autobaninë A1 në Slloveni për më shumë se katër orë, pa mundur të lëvizin asnjë metër.
Mërgimtari, ndër tjerash tha pritjet kanë zgjatur edhe në Merdare e Kroaci.
“Jam një qytetar i Kosovës me familje, gruan dhe tre fëmijët e mi, djalin dhe vajzat e vogla me nga 7 dhe 6 vjet. Për momentin është gjendja e jashtëzakonshme, në Slloveni jemi të bllokuar në autobanin A1, qe 4 orë pa lëvizur fare dhe nuk është duke u marrë askush me ne”.
“Që prej dje, kur jemi nisur prej Kosovs, në orën 14:00 deri më tani kemi arritur t’i bëjmë vetëm 1000 km. Tre orë kemi prit në Merdare, 7 orë me hi në Kroaci. Askujt nuk i intereson për vështirësitë e tona”, tha mërgimtari.

