Bordi i kundërligjshëm i Ndërmarrjes Publike të Komunës së Prishtinës
Dy nga katër anëtarët e Bordit të Ndërmarrjes Publike “Hortikultura” po qëndrojnë kundërligjshëm në pozita. Kjo ndërmarrje është në pronësi të Komunës së Prishtinës me 100 për qind të aksioneve.
Dy anëtarët e bordit të kompanisë “Hortikultura” po qëndrojnë në krye të ndërmarrjes kundërligjshëm. Të dy kanë pozita politike gjë të cilën e ndalon Ligji mbi ndërmarrjet publike, shkruan lajmi.net.
Kryetari i bordit të kësaj ndërmarrjeje, Shpëtim Aliu, është kryetar i një nëndege të AAK-së në Prishtinë.
Valentina Bajrami – Shala, është anëtare e Bordit të Drejtoreve të Hortikulturës. Më herët ka qenë anëtare e këshillit drejtues të AAK-së. Më pas ka kaluar në partin Nisma Socialdemokrate dhe e njëjta ka qenë kandidate për deputete në zgjedhjet e 6 tetorit.
Sikurse çdo ndërmarrje publike komunale, edhe për “Hortikulturë”, ka tre anëtarë të komisionit të aksionarëve, që mund të emërojnë e shkarkojnë Bordin e Drejtorëve. Komisioni i Aksionarëve përbëhet nga tre persona, nga një asamblistë i AAK-së, një i VV-së dhe një nga ekzekutivi komunal si i deleguar i kryetarit të Komunës.
Anëtarja e Komisionit të Aksionarëve, asamblistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Leonora Shabani -Bajraktari është e njoftuar se dy anëtare e Bordit janë eksponent politik.
Ajo thotë se këta dy anëtarët po e ushtrojnë funksionin në kundërshtim me ligjin.
“Kështu kanë vendosur dy anëtaret e tjera të aksionarëve. Jemi një kundër dyve. Pra, aksionari i atëhershëm, Ismail Kokaj dhe asamblistja e AAK-së, Valbona Ajeti kanë vendosur ashtu”, tha shkurt Shabani –Bajraktari për lajmi.net.
E kontaktuar nga lajmi.net, asamblistja Valbona Ajeti, nuk ka dashur të prononcohet lidhur më këtë rast.
Ligji për Ndërmarrjet Publike në Kosovë e thotë qartë se cilët kandidatë mund të emërohet në pozitën e drejtorit të bordeve të Ndërmarrjeve Publike. Neni 17 i kësaj ndërmarrje e thotë se anëtari i bordit të ndërmarrjes duhet të jetë i pavarur. Sipas këtij ligji, një kandidat nuk është i pavarur nëse në 36 muajt e fundit (3 vitet e fundit) ka pasur pozitë politike, kandidat për tu zgjedhur apo i emëruar politik.“Të gjithë drejtorët përveç KE duhet të jenë të pavarur. Një person nuk konsiderohet i pavarur dhe nuk kualifikohet për zgjedhje si drejtor në një NP nëse: është ose në çfarëdo kohe gjatë periudhës 36 muajsh para datës së aplikimit ka qenë (i) zyrtar i zgjedhur publik, (ii) i emëruar politik ose (iii) bartës i një posti udhëheqës ose vendimmarrës në një parti politike;”, thuhet në nenin 17, pika 2, parafargrafi K.
Agjencia Kundër Korrupsionit më 2016, kishte dhënë një opinion ligjor për këtë pikë të ligjit, se kush mund të cilësohet si i emëruar politik.
Sipas AKK-së, secili drejtor i zgjedhur në pozita udhëheqëse duhet të ishte i pavarur dhe jashtë strukturave politike, po ashtu ai duhet të ishte i përgatitur profesionalisht për ushtrimin e pozitës udhëheqëse. Gjithashtu, Agjencia Kundër Korrupsionit, në po këtë opinion kishte sqaruar edhe pjesë “I emëruar politik”. Sipas AKK-së kjo; “Nënkupton personin i cili është emëruar, ose propozuar nga subjekti politik si kandidat për një post të zgjedhur”.