14:27 / E Martë, 31 Janar 2023 / B O

Borë, shi, erë… kështu pritet të jetë moti gjatë javës

Sot në Kosovë na pret mot mjaft i ndryshueshëm, me vranësira reshje lokale bore, shqote e riga shiu në zonat më të ulëta, por edhe me intervale kohore me diell. Pra pritet një ditë me reshje të përziera ku mund të ketë edhe kokrriz të imët. Reshjet do të jenë të herëpashershme dhe të karakterit lokal. Vende-vende priten edhe rrebeshe bore kryesisht në zonat kodrinore-malore që do të thotë se priten intervale të shkurtra reshjesh të dendura bore që mund të japin pamje vërtetë të bukura me fjolla estetike bore. Reshjet nuk do të jenë gjithëpërfshirëse dhe nuk do të zgjasin shumë.

Temperaturat pritet të lëvizin nga -3 deri në 6 gradë Celsius.

Në Shqipëri, Maqedoninë Veriore, Mal të Zi dhe Kosovën lindore pritet të mbajë mot me vranësira dhe intervale kohore me diell. Reshje afatshkurtra bore në formë edhe të rrebesheve të borës priten që nga veriu i Malit të Zi, Shqipërinë veriore, verilindore, lindore dhe juglindore e deri në zonat kodrinore-malore të Maqedonisë së Veriut dhe Luginës së Preshevës. Reshjet do të jenë të karakterit lokal dhe nuk do të zgjasin shumë.

Të mërkurën dhe të enjten na pret mot paksa më i ngrohtë, me intervale kohore me diell dhe vranësira lokale.

Të enjtën pasdite do të kemi frontin ajror me vranësira dhe reshje shiu fillimisht e pastaj reshje bore. Të premtën na pret mot i ftohtë, me erëra të ftohta veriore dhe me reshje lokale bore./MeteoBallkan