75 Mall Live Search
12:40 / E Premte, 20 Dhjetor 2019 / indeksADMonline

Borelli s’shkon në Tiranë për temën e mini Shengenit ballkanik

Shefi i diplomacisë europiane Josep Borell nuk do të shkojë në samitin e vendeve të një pjesë të Ballkanit Perëndimor, të cilat po përpiqen ta jetësojnë temën e mini Shengenit ballkanik, e të cilin po e bojkoton edhe Kosova për shkak të raporteve me Serbinë.

Mospjesëmarrjen e Borellit në takimin e Tiranës më 21 dhe 22 dhjetor e ka komentuar presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë megjithatë se shpreson që përveç Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut kjo iniciativë do të zgjerohet. Mali i Zi ka shfaqur rezerva ndaj mini Shengenit duke thënë se ajo është duplifikim i CEFTA-s, por në Tiranë do të udhëtojë edhe presidenti Milo Gjukanoviq.

“Me të vërtetë nuk më interesin se a u pëlqen a jo evropianëve, ata, kur mblidhet Këshilli Europian nuk na pyesin fare se a na pëlqen ne ndonjë vendim i tyre”, ka thënë Vuçiq.,

“Janë disa që nuk u pëlqejnë këto, kur nuk janë të ulur në ulësen kryesore dhe kjo nuk është ndonjë fshehtësi e madhe” ka thënë Vuçiq.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka ftuar nga Kosova presidentin Hashim Thaçi për të shkuar në Tiranë, por ky i fundit ka refuzuar duke e përmendur Serbinë si shkaktare.

“Dua të theksoj se rrethanat që e kanë pamundësuar pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në takimin e parë të mbajtur në Novi Sad dhe në të dytin të mbajtur në Ohër, nuk kanë ndryshuar. Si rrjedhojë, unë si President i Republikës së Kosovës, në emër të institucioneve shtetërore refuzoj pjesëmarrjen në takimin e tretë të këtij formati rajonal që mbahet në Tiranë” ka shkruar Thaçi në facebook teksa i është përgjigjur Ramës.

Ndaj kësaj, ka reaguar kryeministri Rama, i cili ka thënë se nuk e kupton këtë veprim të Thaçit pasi ky i fundit ka qenë pjesë e tryezave me Serbinë dhe se tani po e përjashton dhe po e izolon Kosovën.