12:14 / E Martë, 08 Tetor 2019 / indeksADMonline

Borelli tha se nuk është shtet, kryediplomati austriak: Kosova është realitet

Deklarata e diplomatit spanjoll, Josep Borrell, i cili pritet të pasojë zonjën Federica Mogheirni në postin e shefit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian se Kosova nuk është shtet pa u njohur nga Kina, Rusia dhe India ka ngjallur reagime të shumta.

Por ministri federal për Evropën, Integrimet dhe Punët e Jashtme i Republikës së Austrisë, Alexander Schallenberg, thotë se Kosova është një realitet tashmë dhe mosnjohja nga disa vende si Spanja nuk e ka penguar BE-në të ndjekë një politikë koherente ndaj Prishtinës dhe Beogradit.

Alexander Schallenberg: Kosova është realitet, Austria ka qenë një nga vendet e para që ka njohur pavarësianë, shumica e vendeve të Kombeve të Bashkuara e kanë njohur. Po, ka disa shtete anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur, por BE-ja ka mundur ta ndjekë një politikë koherente ndaj Prishtinës dhe Beogradit dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë. Nuk ka qenë një pengesë në fund të ditës që BE-ja të ndjekë një politikë të ndjeshme ndaj dy vendeve. Duhet të presim për formimin e Qeverisë në Kosovë përpara se të mbajmë një qëndrim pavarësisht se çfarë mund të thonë udhëheqësit e rajonit.