75 Mall Live Search
15:17 / E Mërkurë, 26 Qershor 2024 / LB

Borrell para takimit trepalësh: Shpresoj që të nis zbatimi i Marrëveshjes Bazë

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell para takimit të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel ka thënë se shpreson që pas këtij takimi të zbatohet Marrëveshja Bazë për të cilën Kosova e Serbia janë zotuar.

Në një konferencë për media, kryediplomati evropian tha se shpreson që sot të hedhen hapa përpara për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.

“Zbatimi i kësaj marrëveshjeje duhet të fillojë, shpresojë që sot definitivisht të diskutojmë dhe të hedhim hapa përpara për zbatimin e kësaj marrëveshjeje. Ajo që është arritur duhet të zbatohet”, ka deklaruar Borrell.

Borrell ka theksuar se ka pasur mungesë gatishmërie nga të dyja palët për përparim në dialog.

“Në dialog nga palët ka pasur mungesë përkushtimi, mungesë përparimi, mungesë implementimi e vullneti për të arritur konsensus”, ka vijuar Borrell.

Kryediplomati evropian tutje ka thënë se se normalizimi i marrëdhënieve Kosovë – Serbi është në zemër të angazhimit të BE-së për Ballkanin si dhe se normalizimi i raporteve është i lidhur ngushtë me rrugën e anëtarësimit në BE.

Sipas Borrellit, do të ketë emra tjerë si përfaqësues në BE por konkluzat dhe pritjet e bllokut nuk do ndryshojnë duke theksuar se “Zotimet dhe obligimet e Kosovës dhe të Serbisë nuk do të ikin”.

“Për pak muaj do të ketë njerëz tjerë emra tjerë në vendin tonë, por marrëveshjet, konkluzat dhe pritjet e BE-së s’do të ndryshojnë. Shtetet anëtare s’do të ndryshojnë. Zotimet dhe obligimet e Kosovës dhe të Serbisë s’do të ikin. Të gjithë do të presin nga kapacitetet dhe vullnetin e kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë të sigurojnë të ardhme më të mirë evropiane për popujt e tyre”, ka theksuar kryediplomati evropian.