10:59 / E Diele, 12 Korrik 2020 / indeksADMonline

Borrell thotë se zgjidhja Kosovë-Serbi kurrë s’ka qenë e lehtë

Shefi për Politikë të Jashtme i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se ka nderin që të rinisë bisedimet në mes të Prishtinës dhe Beogradit edhe pse në kushte të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë, nëpërmjet videokonferencës.

“Synimi është i qartë, që të kthehemi në punën serioze dhe intensive për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dyja shteteve. Bashkimi Evropian ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë që ta mbështesë dhe të lehtësojë gjetjen e një zgjidhje përfundimtare dhe ligjore”, ka thënë Borrell, para nisjes së konferencës.

Ai ka thënë se marrëveshja Kosovë-Serbi do të zgjidhte të gjitha çështjet në mes të dyja vendeve.

“Kjo marrëveshje është vendimtare për popullin e Kosovës dhe Serbisë, për perspektivën evropiane, sigurinë dhe stabilitetin e rajonit – kjo marrëveshje është vendimtare për BE-në”.

“E dimë që nuk është proces i lehtë, por është urgjencë që të punojmë për paqe dhe stabilitet për hir të së ardhmes. Kërkojmë kurajën politike të të dy palëve, angazhim në frymën e pragmatizmit dhe kompromisit. Kurrë s’ka qenë e lehtë të gjendet zgjidhje, por kjo është pse jemi këtu, që të provojmë përsëri”.

Sot mbahet videokonferenca e ndërmjetësuar nga BE, ku marrim pjesë Kosova, me Kryeministrin Avdullah Hoti, ndërkaq Serbia përfaqësohet nga presidenti i saj, Aleksandër Vuçiq.