07:15 / E Mërkurë, 23 Tetor 2019 / indeksADMonline

Borxhi publik kalon 9 miliardë euro, por u ul në 63.32% të PBB-së në fund të shtatorit

Borxhi i përgjithshëm publik ka arritur në një shifër të barabartë me 63.32 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit në fund të shtatorit të këtiji viti. Këtë e referon ministria e Financave dhe Ekonomisë në buletinin e rregullt tremujor të shërbimit të borxhit.

Shifra totale e borxhit është tani gati 1 trilion e 110 miliardë lekë, ekuivalenti i më shumë se 9 miliardë eurove, duke u rritur nga 1 trilion e 107 miliardë lekë, që ishte në fund të vitit të kaluar. Por, duke qenë se edhe Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur, ministria e llogarit në ulje raportin e kësaj shifre ndaj PBB-së.

Në përputhje me një angazhim të hershëm të qeverisë, borxhi publik ka ardhur në ulje që pas vitit 2015, kur, si pasojë e detyrimeve të mëdha të prapambetura, ai arriti në nivelin maksimal prej 72.67 përqindësh, që ishte edhe “rekordi” negativ në këtë fushë.  Ndërkohë, në vitin 2017 shifra arriti në 70% dhe vitin e kaluar ishte 67.16%.