75 Mall Live Search
12:41 / E Martë, 23 Prill 2019 / indeksADMonline

Boshatiset Qendra e të Huajve në Vranidoll ku po qëndronin të kthyerit nga Siria

Të gjitha gratë dhe fëmijët që u kthyen të premten nga Siria në Kosovë, tashmë janë liruar nga Qendra e të Huajve në Vranidoll të komunës së Prishtinës.

Kjo gjë është konfirmuar për Indeksonline nga Prokurori Special, Sylë Hoxha.

Hoxha ka theksuar se tashmë të gjithë janë larguar dhe janë kthyer nëpër shtëpitë e tyre.

“Po janë liruar, për t’u kthyer nëpër shtëpi. Por ndaj 31 gra apo 32 sepse numri po luan për një person do të rifillojnë hetimet. Hetimet kanë për të vazhduar pasi ishin të pezulluara dhe natyrisht do të veprohet në këtë drejtim”, ka thënë Hoxha.

Ai shtoi se do të vazhdojnë bashkëpunimin me organet tjera përgjegjëse në mënyrë që rasti të shkojë deri në fund.

Ndryshe autoritetet e Kosovës në orët e vona të së premtes kanë kthyer në Kosovë 110 kosovarë nga zonat e luftës në Siri, përfshirë në mesin e tyre edhe luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë, 9 nga të cilët kishin humbur prindërit në luftë.

E për të mundësuar kthimin e tyre në Kosovë kishte intervenuar edhe ushtria amerikane.

Gjatë ditës së djeshme zëdhënësi i ushtrisë amerikane, Sean Robertson tha se pasuritë amerikane janë përdorur për të mbështetur këtë operacion të riatdhesimit.

“Në asnjë moment ShBA-të, nuk e kanë marrë përgjegjësinë për të ndaluarit e dyshuar si luftëtarë të huaj terroristë”, ka thënë Robertson.

Ai nuk pranoi të japë detaje shtesë lidhur me rastin për arsye të sigurisë./Indeksonline/