75 Mall Live Search
14:02 / E Mërkurë, 24 Shtator 2025 / L A

Botërori me 64 kombëtare, më shumë mundësi kualifikimi për Kosovën e për Shqipërinë

Kosova dhe Shqipëria do të mund të kenë më shumë gjasa për t’u kualifikuar në Kampionat Botëror në të ardhmen.

Natyrisht, kjo mund të arrihet nëse FIFA e merr vendimin përfundimtar për zgjerimin e evenimentit më të rëndësishëm në futbollin botëror.

Në fakt, liderët e futbollit jugamerikan kanë kërkuar nga shtëpia e futbollit botëror që ta zgjerojë Kupën e Botës në 64 kombëtare, shkruan “The New York Times”.

Dhe, FIFA thuhet se është duke e shqyrtuar këtë mundësi pasi erdhi nga një kontinent që ka ndikim tek ajo.

Presidenti i institucionit më të lartë të futbollit botëror, Gianni Infantino dhe sekretari i përgjithshëm, Mattias Grafstrom, thuhet se kanë pasur takim në New York me përfaqësuesit e Federatave të Futbollit të Argjentinës, Uruguait dhe Paraguait, ndërsa ata janë udhëhequr në takim nga presidenti i CONMEBOL (Federata e Futbollit të Amerikës së Jugut), Alejandro Dominguez, i cili njëherësh është zëvendëspresident i FIFA-s.

Ky zgjerim synohet të bëhet nga viti 2030, ndërsa idenë i pari e ka prezantuar Uruguai para disa muajsh.

Botërori ka pasur ngritje konstante të numrit të pjesëmarrësve në kohët e fundit.

Prej 16 kombëtareve fillimisht ishte rritur në 24, ndërsa në dekadat e fundit atë e përfaqësojnë 32 kombëtare.

E Botërori që do të mbahet vitin tjetër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada dhe në Meksikë do t’i ketë 48 kombëtare pjesëmarrëse.

Në rast se aprovohet ideja që Botërori t’i ketë 64 kombëtare pjesëmarrëse, i bie që më shumë se 30 për qind e 211 shteteve anëtare të FIFA-s të luajnë në këtë garë prestigjioze.

Kjo natyrisht do t’i rriste ndjeshëm gjasat e Kombëtares së Kosovës dhe të asaj të Shqipërisë për pjesëmarrje në Botëror në të ardhmen.