16:14 / E Enjte, 24 Shtator 2020 / indeksADMonline

BQK dhe AKK paraqesin masat e ndërmarra për zhvillimin e industrisë së sigurimeve

Zëvendësguvernatori i BQK-së për Mbikëqyrje Financiare, Sokol Havolli dhe kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi prezantuan para mediave masat e ndërmarra lidhur me modelin e ri që do të aplikohet me kostimin e sigurimit të detyrueshëm.

Me këtë rast zëvendësguvernatori Havolli përmendi një numër reformash të ndërmarra nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës me qëllim të përmirësimit të gjendjes në këtë sektor pasi ai vazhdon të mbetet i pazhvilluar mjaftueshëm, është koncentruar në produkte të sigurimit të detyrueshëm (autopërgjegjësi), si dhe është ballafaquar me mospërmbushje të kushteve, të cilat ndërlidhen me kërkesat rregullatore për kapitalizim dhe provizionim.

Ai ka thëenë se problemet në këtë industri, kanë bërë që performanca e këtij sektori të jetë e brishtë, duke reflektuar edhe në aftësinë e sektorit për të kryer detyrimet ndaj të siguruarve.

“Rezultatet e reformave të ndërmarra nga BQK-ja kanë sjellë një reagim mjaft pozitiv dhe intensiv nga industria e sigurimeve. Gjatë kësaj periudhe, mbi 11 milionë euro kapital janë shtuar nga aksionarët e kompanive të sigurimit për të plotësuar nevojat e kapitalit dhe provizionimit në kompanitë e tyre. Gjatë javës së fundit të këtij muaji po ashtu presim të shtohen edhe të paktën 3 milionë euro” theksoi Havolli.

Ai tha se BQK-ja gjatë vitit të kaluar ka ndërmarrë veprime të nevojshme që të sigurohet kompensimi i plotë i dëmeve ndaj palëve të dëmtuara. Kjo ka përfshirë, por nuk është kufizuar, në rritjen e tarifave si dhe uljen drastike të shpenzimeve për kompanitë e sigurimeve me rregullore nga BQK. Gjithashtu.

 “Gjatë vitit të kaluar, por edhe gjatë këtij viti, kemi pasur komunikim të vazhdueshëm institucional me Kryetarin e Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, në përpjekje për të gjetur modalitetet më të avancuara për adresimin e produktit të TPL-së në tregun e Kosovës. Prandaj si rezultat i bashkëpunimit të afërt me AKK-në, kemi ardhur në përfundim se modeli i kostimit të policave të detyrueshme duhet të jetë i bazuar në riskun individual të të siguruarit.

Ndërsa, kryetari i AKK-së, Valon Prestreshi i vlerësoi veprimet e BQK-së në rregullimin e kësaj industrie.

“Autoriteti Kosovar i Konkurrencës dhe BQK-ja janë duke e trajtuar këtë rast nga viti i kaluar dhe në rekomandimet profesionale që i kemi ofruar BQK-së, kemi theksuar nevojën e liberalizimit të këtij tregu dhe që të mos kemi çmime të unifikuara të primit të TPL-së dhe kështu t’i hapet rrugë presionit konkurrues ndërmjet kompanive të sigurimeve që janë në treg”,theksoi përteshi.

Ai tha se AKK i ka rekomanduar BQK-së si rregullator i tregut, që të fillojnë përgatitjet që nga rregullimi i tanishëm i tregut të kalohet në një sërë tarifash të lejuara siç e themi ne në konkurrencë tavan dhe dysheme, dhe më pastaj të kalohet në çmimet e tregut plotësisht të liberalizuar.