15:24 / E Diele, 14 Prill 2019

BQK përfundon pjesëmarrjen në takimet pranverore të FMN-së dhe BB-së

Delegacioni i BQK-së përfundon pjesëmarrjen në takimet pranverore të FMN-së dhe BB-së

Delegacioni i BQK-së i udhëhequr nga Guvernatori i BQK-së Fehmi Mehmeti, ka përfunduar pjesëmarrjen në takimet pranverore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, të cilat u zhvilluan në Uashingron të SHBA-ve nga data 9-13 prill 2019.

Në ditën e fundit të qëndrimit, Guvernatori Mehmeti ka marrë pjesë në diskutimet e Guvernatorëve dhe Ministrave të Evropës Qendrore dhe Lindore lidhur me Perspektivën Ekonomike Rajonale të Evropës Qendrore dhe Juglindore.

Gjithashtu, gjatë ditës së fundit, përfaqësuesit e BQK-së kanë marrë pjesë në mbledhjen plenare të Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar të FMN-së.

Gjatë qëndrimit në Uashington dhe pjesëmarrjes në sesionet plenare të organizuara nga FMN dhe Banka Botërore, delegacioni nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës i kryesuar nga Guvernatori, kanë takuar drejtues të lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Bankës Botërore, nga të cilët kanë marrë mbështetje në realizimin e objektivave të BQK-së në mbështetje të zhvillimit të vendit.

Në takimet vjetore të FMN-së dhe BB-së, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti ka marrë pjesë në sesionin plenar të FMN-së dhe BB-së.

Përveç takimeve me ekipin e misionit të FMN-së për Kosovën, Guvernatori Mehmeti ka takuar edhe zëvendësdrejtorin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang, të cilin e informoi mbi zhvillimet e përgjithshme në sistemin financiar, si dhe e falënderoi për përkrahjen e vazhdueshme që FMN-ja i ka ofruar BQK-së ndër vite.

Në këtë takim, zëvendësdrejtori i Fondit Monetar Ndërkombëtar, Tao Zhang konfirmoi përkrahjen e mëtejme për BQK-në dhe Kosovën.

Delegacioni i BQK-së i kryesuar nga Guvernatori Mehmeti, në takime të ndara, është takuar edhe me zëvendësdrejtorin e Bankës Botërore Cyril Muller dhe me Drejtoreshën e Bankës Botërore per Ballkanin Perëndimor Linda Van Gelder, ku u diskutua lidhur me zhvillimet e fundit në sistemin financiar dhe projektet që kanë të bëjnë me asistencën teknike të Bankës Botërore.

Gjatë takimeve vjetore, Banka Qendrore e Republikës së Kosovës ka marrë përkrahje nga Departamenti i FMN-së për Evropë lidhur me asistencën teknike të FMN-së për BQK-në për zbatimin e projekteve dhe rekomandimeve të mundshme që do dalin nga procesi i Rishikimit të Stabilitetit të Sektorit Financiar (Financial Stability Sector Review).

Po ashtu, takime janë zhvilluar edhe me Drejtorin e ri të Konstituencës tonë në FMN, Raci Kaya, si dhe me Drejtorin e Konstituencës tonë në Bankën Botërore, Guenther Schoenleitner.

Në kuadër të takimeve vjetore në Uashington, delegacioni i BQK-së ka marrë pjesë në takimin hapës të Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar të FMN-së, si dhe në takimet e ndara të Konstituencës së Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, pjesë e të cilave është edhe Kosova.

Takimet vjetore të Bordit të Guvernatorëve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (WBG), për çdo vit sjellin së bashku bankierët e bankave qendrore, ministrat e financave, drejtuesit e sektorit privat, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe akademikëve për të diskutuar çështjet e financave të fokusuara në ekonominë globale, zhvillimin ndërkombëtar dhe ato të sistemit financiar botëror.