19:19 / E Martë, 30 Prill 2024 / MSH

BQK pjesëmarrëse në Forumin e nivelit të lartë për qeverisje për bankat qendrore

Zëvendësguvernatorja për Funksione të Përgjithshme, Nesrin Shileku-Shala dhe anëtarja jo-ekzekutive e Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Nora Latifi-Jashari po marrin pjesë në Forumin e VIII-të të nivelit të lartë të qeverisjes për banka qendrore të organizuar nga Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) me temën “Roli i Bordit, mekanizmat mbështetës për qeverisje të mirë dhe zhvillimet e fundit”.

Ky Forum që po mbahet në Dubai, solli së bashku ekspertë nga institucione financiare botërore për të diskutuar çështje të rëndësishme të qeverisjes.

Në fjalën e saj në panelin me titull “Roli i Bordit dhe ndërveprimi me menaxhmentin ekzekutiv”, Latifi-Jashari theksoi rolin dhe kompetencat thelbësore që duhet të kenë anëtarët jo-ekzekutivë të Bordit Mbikëqyrës për të siguruar qeverisje efektive në institucionet financiare.

Latifi-Jashari nënvizoi se për funksionimin efektiv të një bordi, pavarësia dhe integriteti, së bashku me profesionalizmin, janë shtyllat që duhet të mbështesin strukturën e tij. Po ashtu, anëtarja e Bordit të BQK-së potencoi natyrën jetike të rolit të qartë dhe të pavarur midis bordeve Mbikëqyrëse dhe Ekzekutive për të siguruar mbikëqyrje efektive.

Më tej, Latifi-Jashari theksoi rëndësinë e kanaleve transparente të komunikimit në mes të këtyre bordeve për të mbajtur një strukturë të qartë qeverisjeje ku secili bord kupton qartë rolin dhe përgjegjësitë e tij.

Forumi, i cili është duke u zhvilluar nga 30 prilli deri më 2 maj 2024, ofron një platformë për zyrtarët e bankave qendrore dhe ekspertët e qeverisjes për të shkëmbyer ide dhe praktika më të mira.