75 Mall Live Search
14:18 / E Diele, 08 Shkurt 2026 / b l

BQK: Remitancat arritën 1.42 miliard euro në 2025

Remitancat në Kosovë gjatë vitit 2025 kanë arritur vlerën prej 1.42 miliard eurosh, duke shënuar një rritje prej 4.4% ose rreth 60 milionë euro më shumë krahasuar me vitin 2024. Muaji dhjetor mbetet ende me të dhëna preliminare dhe pritet të finalizohet në fund të shkurtit.

Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), pjesa më e madhe e remitancave ka ardhur nga Gjermania me rreth 39% të totalit.

Pas saj renditen Zvicra me 17.5%, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 7.2%, Austria me 4.2%, Italia me 3.9%, ndërsa Belgjika dhe Franca me nga 3.4%.

Sa i përket mënyrës së dërgimit të parave, rreth 55% e remitancave janë transferuar përmes agjencive për transfere të mjeteve, 17% përmes bankave dhe 28% përmes kanaleve të tjera. Kjo strukturë ka mbetur pothuajse e njëjtë si në vitin paraprak.

Mesatarja mujore e remitancave ishte rreth 117.9 milionë euro, ndërsa prurjet më të mëdha u regjistruan në muajt korrik, gusht dhe dhjetor, kryesisht për shkak të ardhjes së mërgimtarëve në Kosovë gjatë sezonit të verës dhe festave të fundvitit.