11:56 / E Enjte, 26 Shtator 2019 / indeksADMonline

Brahimaj: Taksa duhet të mbetet, emocion i veçantë kur u formua ushtria

Ekipi i KosovaPress udhëtoi drejt fshatit Shqiponjë të Komunës së Gjakovës për të takuar Lahi Brahimajn, një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pjesëmarrës në luftën çlirimtare deri në përfundimin e saj.

Pas përfundimit të luftës së lavdishme çlirimtare mori pjesë në demilitarizimin e UÇK-së në TMK dhe Policinë e Kosovës, ndërsa ka qenë pjesë e TMK-së deri në vitin 2005.

Në këtë vit, së bashku me Ramush Haradinajn u përball me drejtësinë ndërkombëtare, proces që u mbyll në vitin 2012 pas shpalljes si i pafajshëm në të gjitha pikat e aktakuzës.

Brahimaj ka qenë pjesë e Kuvendit edhe më parë, kërkon sërish besimin e qytetarëve në listën e koalicionit AAK-PSD me numrin 61.

Në kullën e familjes Brahimaj u mirëpritëm nga vetë Lahiu me të cilin biseduam për shumë tema të rëndësishme për vendin dhe për çështjet të cilat do të kenë vëmendjen e tij në rast se zgjidhet si përfaqësues i popullit më 6 tetor.

Pak metra nga kulla e tij gjendet Kompleksi Memorial i Shqiponjës aty ku pushojnë ish-bashkëluftëtarët e Brahimajt me të cilët luftoi për të njëjtin ideal, lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Pyetja e parë që i bëjmë është nëse Kosova është vendi për të cilin ai luftoi dhe heronjtë dhanë jetën para 20 vjetësh.

“Realisht nuk është jetësuar komplet, por gjasat janë që Kosova të shkojë në një drejtim të mirë, mbetet që ne të gjallët ta vazhdojmë rrugës së dëshmorëve dhe lum ata që shkojnë hapave të tyre dhe mjerë ata që devijojnë rrugën”, përgjigjet ai.

Brahimaj thotë se ai dhe familja e tij njihen si njerëz të fjalës dhe besës e kështu premton se do të jetë edhe në rast se zgjidhet deputet i Kuvendit të Kosovës më 6 tetor.

Ai theksoi se do të jetë pranë shqetësimeve dhe halleve të njerëzve, siç kishte qenë edhe dikur në kohë shumë më të vështira.

“Realisht si deputet do të jem derë e hapur ashtu siç kam qenë në vitet më të vështira për të gjithë elektoratin, jo vetëm për votuesin tim Lahi Brahimaj e Aleancë por të gjithë njerëzit do të jem derë e hapur por ashtu siç kemi qenë do të jemi prapë dhe realisht kërkesat e tyre do të kenë adresë ku mu adresu dhe do të kenë një njeri që ka me i prit. Realisht identifikohemi si familje bujari, jo besëprerë, jo bukëpërmbysë dhe realisht përulem para të gjithë atyre që na kanë përkrahur ndër vite por që do të na përkrahin edhe në të ardhmen”, tha ai.

Brahimaj premton më shumë përkrahje edhe për fermerët për të cilët thotë se ka ende hapësirë t’ju ndihmohet e për këtë arsye do të shtyjë të gjitha projektet që janë në dobi të bujqve.

Për taksën insiston që të mbetet në fuqi. Brahimaj thotë se Serbia i ka shfrytëzuar paratë e shqiptarëve të Kosovës për të dëmtuar pikërisht vendin tonëe, prandaj mendon se ajo nuk duhet të hiqet deri në njohjen e pavarësisë nga shteti serb.

Në Kosovën e çliruar e të pavarur, përkundër shumë ngjarjeve të cilat e kanë shënuar jetën e tij, një ditë ka qenë shumë emocionale për të, dita kur Kuvendi miratoi ngritjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në të cilën ai e pranoi se nuk ka mundur t’i mbajë lotët.

Brahimaj thotë se ndjehet i lumtur që sheh se si kadetët e Ushtrisë së Kosovës po arrijnë rezultate të mirë jashtë vendit gjatë shkollimit të tyre, ndërsa thotë se tashmë nevojitët më shumë mbështetje për ushtrinë.

“E tha edhe kryeministri janë gëzuar çdo ushtarë i Ibrahim Rugovës, ushtarë i Adem Jasharit por edhe këta 37 dëshmorë që shtrihen këtu sigurisht janë gëzuar me formimin e Ushtrisë së Kosovës dhe nuk ka ndjenjë më të veçantë se atë ditë kur u bë themelimi i ushtrisë. Kam qenë pjesëmarrës në mesin e mysafirëve dhe ka pasur shumë djem dëshmorësh që me krenari e bartin uniformën e ushtrisë së re të Kosovës. Dita-ditës nuk ka kadetë i Ushtrisë së Kosovës që nuk shkollohet si në akademitë ushtarake në Amerikë, Gjermani, Angli e gjetiu dhe në çdo gjeneratë pa e marrë një titull si kadeti më i mirë nuk ka ndodhur, në çdo gjeneratë, edhe në universitetet e Amerikës, edhe në Angli “Shpatën e Artë” që e ka dhënë që dy herë Mbretëresha d.m.th nuk ka ndjenjë më të veçantë dhe më kënaqësi sesa kur i sheh ata djem e vajza kah po shkojnë. Sigurisht që ata kanë n evojë për mbështetje me ia dedikuar një pjesë të buxhetit rreth avancimit të teknikës ushtarake dhe shkollimeve dhe trajnimeve jashtë vendit që të jenë përkrah ushtrive të NATO-së dhe standardeve të NATO-së”, deklaroi Brahimaj.

Ish-gjenerali i luftës çlirimtare e sheh ftesën nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale për liderin e AAK-së Ramush Haradinaj si “disiplinim” për ta dëgjuar, por Brahimaj garanton se kryeministri në detyrë nuk do të bindet askujt para interesave të Kosovës.

Lahi Brahimaj nga lufta për lirinë e vendit tash kërkon besimin e qytetarëve për një luftë tjetër, jo me armë, por nga foltorja e Parlamentit për të vijuar idealin e tij për një shtet të fortë dhe të respektuar nga të gjithë.