Brazili dëshiron të zgjasë kontratën me Ancelottin
Carlo Ancelotti do të vazhdojë të shkruajë histori në futbollin botëror nga stoli i Brazilit.
Trajneri italian pritet të nënshkruajë së shpejti një kontratë të re që do ta mbajë në krye të ekipit kombëtar brazilian deri në vitin 2030, duke konfirmuar besimin e plotë të Konfederatës Braziliane të Futbollit (CBF) ndaj tij, shkruan IndeksOnline.
Që nga dita e parë e mbërritjes së Ancelottit në Rio de Janeiro, drejtuesit e CBF-së, të udhëhequr nga presidenti Samir Xaud, e kanë parë atë si njeriun e duhur për të rikthyer stabilitetin dhe autoritetin në stolin e “Seleçaos”.
Ai ka treguar vendosmëri edhe në vendime të vështira, si lënia jashtë skuadrës e Neymarit, një figurë me ndikim të madh jo vetëm sportiv, por edhe shoqëror në Brazil.
Kontrata e re do ta mbajë Ancelottin në krye të renditjes financiare të trajnerëve të ekipeve kombëtare në mbarë botën, duke e bërë atë trajnerin më të paguar në këtë nivel.
Marrëveshja mes Ancelottit dhe CBF-së është tashmë e mbyllur në të gjitha aspektet, si në kushtet financiare ashtu edhe në kohëzgjatje. Zyrtarët e federatës kanë pranuar se kontrata është gati dhe se mbetet vetëm ceremonia zyrtare e nënshkrimit dhe njoftimi publik që Carlo Ancelotti do të vazhdojë të drejtojë Brazilin deri në vitin 2030./IndeksOnline/

