14:31 / E Martë, 22 Qershor 2021 / AR

Brazili kujton viktimat e Covid-19, 500 qirinj për 500 mijë jetët e humbura

500 qirinj për të kujtuar gjysmë milion njerëzit që humbën jetën nga pandemia e koronavirusit. Brazili e shënoi kështu, pragun e trishtë, pasi u bë vendi i dytë në botë që tejkaloi 500 mijë vdekjet pas Shteteve të Bashkuara. Sao Paolo dhe Rio de Janeiro ndriçuan në ndritën e qindra qirinjve

 “Jemi këtu për të folur për ta. Duam të nderojmë këta njerëz, duam drejtësi. Këto jetë njerëzore mund të ishin shpëtuar nëse politikat publike do të kujdeseshin për problemin më të cilin përballemi”, deklaroi organizatorja Sara Rourero.  

Protestues të mbledhur në sheshin Floriano të Rio de Janeiros i bënë homazhe viktimave dhe kërkuan dorëheqjen e presidentit Jair Bolsonaro, për keqmeanxhimin e pandemisë.

 “Është e pamundur të harrohen 500 mijë vdekje. Më shumë se 500mijë vdekje nga Covid-19, pasi presidenti nuk u kujdes për brazilianët, pasi presidenti nuk i bleu vaksinat”, thotë një nga pjesëmarrëset.  

Pragu i 500 mijë vdekjeve u tejkalua të shtunën, ndërsa ekspertet paralajmërojnë se situata në vendin e dytë më të prekur në botë, do të përkeqësohet për shkak të vonesave në vaksinime dhe refuzimit të qeverisë për të mbështetur masat e distancimit social. 

Vetëm 11 përqind e brazilianëve janë vaksinuar plotësisht dhe epidemiologët paralajmërojnë se me ardhjen e dimrit në hemisferën jugore dhe qarkullimin e varianteve të reja, vdekjet do të vijojnë të rriten.