15:21 / E Shtunë, 27 Qershor 2020 / indeksADMonline

Brenda bunkerëve: Si po përgatitet 1% e botës për apokalipsin

Nëse dikush do t’ju pyeste se si e mendoni një “bunker të kohëve moderne”, me siguri që do të imagjinoni një dhomë të mbushur me çanta, sende të nevojshme dhe ushqime të konservuara. Por, kompani në të gjithë botën po investojnë që “bunkeri i shekullit XXI” të jetë shumë më ndryshe nga çfarë imagjinojmë.

Këto kompani po përpiqen të plotësojnë kërkesën – e 1% të njerëzve në botë – për të patur një strukturë që të mbron nga çdo rrezik, qoftë kjo pandemi, asteroid apo Lufta e Tretë Botërore.

“Bunkeri i babait apo gjyshit nuk është i rehatshëm,” tha për CNN Robert Vicino, sipërmarrës i pasurive të patundshme dhe CEO i kompanisë Vivos, që ndërton dhe administron struktura të tilla strehimore. “Bunkerët e tyre ishin gri, prej metali dhe ngjanin si anije ose diçka ushtarake. Njerëzimi nuk mund të mbijetojë për shumë kohë në një mjedis të tillë, kaq të zymtë.”

Shumë njerëz me ndikim global kanë ndërtuar struktura të tilla për të strehuar familjen dhe stafin. Bill Gates thuhet se ka bunkerë mbrojtës në të gjitha pronat e tij.

Gary Lynch, menaxher i përgjithshëm i Rising S me bazë në Teksas, thotë se shitjet e bunkerëve të nëndheshëm të kompanisë u rritën me 700% në vitin 2016, në krahasim me vitin 2015.

Bunkerët e kompanisë në fjalë janë të krijuara për të rezistuar për breza me radhë, mund të mbajnë minimumi një vit ushqime dhe janë rezistentë ndaj tërmeteve.

Struktura të tilla të fortifikuara janë të ndërtuara që t’i bëjnë ballë një sulmi bërthamor dhe vijnë të pajisura me sisteme energjitike, sisteme pastrimi dhe filtrimi. Një pjesë e tyre kanë kopshte për të plotësuar nevojat për ushqim.

Një nga këto struktura, Vivos xPoint, në South Dakota, përbëhet nga 575 bunkerë ushtarakë dhe aktualisht po shndërrohet në një vend që do të mund të strehojë 5,000 njerëz dhe do të shërbejë si një mini-qytet, me klinika mjekësore, palestra, kopshte, shtëpi etj.

Të gjitha ambientet përmbajnë pajisje luksi dhe ndonëse mund të konsiderohen si të panevojshme, sipërmarrësit thonë se “këto strehimore mund të duhet të funksionojnë një vit ose më shumë” ndaj është mirë që të jenë të rehatshme.