Brenda dasmës përrallore të Dua Lipës, me muzikë dhe valle shqiptare!
Dua Lipa dhe bashkëshorti i saj, Callum Turner, festuan deri në orën 6 të mëngjesit, ndërsa dasma e tyre në Sicili, me një kosto prej rreth 1.5 milionë paundësh, përfundoi me një shfaqje spektakolare fishekzjarresh që zgjati dhjetë minuta.
Këngëtarja 30-vjeçare dhe aktori 36-vjeçar organizuan një festë madhështore në vilën historike Villa Valguarnera në Bagheria, pranë Palermos, ku shkëmbyen betimet martesore gjashtë ditë pasi kishin kryer ceremoninë zyrtare në Marylebone Town Hall në Londër, transmeton Indeksonline.
Megjithëse ende nuk janë publikuar fotografi të çiftit nga ceremonia e së shtunës, shkëlqimi dhe luksi i saj e kanë bërë atë një nga dasmat më të bujshme të vitit deri tani.

Çifti i mirëpriti rreth 200 të ftuar me ëmbëlsira, muzikë dhe vallëzim, duke përfshirë detaje romantike që lidhen me historinë e tyre të dashurisë. Mendohet se e gjithë fundjava festive ka kushtuar rreth 1.5 milionë paundë.

Festimet nisën në orët e pasdites në rezidencën e shekullit XVIII, Villa Valguarnera. Gjatë ceremonisë performoi edhe Elton John me këngën e tij të famshme “Your Song”, pasi mbërriti me avion privat nga Farnborough vetëm një orë para fillimit të ceremonisë.

Një kamerier tha për Daily Mail:
“Ai kishte nga një person në secilin krah për ta udhëhequr, sepse nuk mund të shihte mirë, por luajti pianon në mënyrë të mrekullueshme.”
Masat e sigurisë ishin jashtëzakonisht të rrepta. Zona ishte e rrethuar me sigurime dhe shumë persona mbetën të zhgënjyer, pasi e vetmja figurë e njohur që u pa publikisht ishte stilistja Donatella Versace.

Versace krijoi dy fustane të bardhë për Dua Lipën: një fustan të shkëlqyeshëm të zbukuruar me diamante për ceremoninë dhe një tjetër të bardhë për festën e mbrëmjes.

Muzika dëgjohej në të gjithë ambientin, por për të mos shqetësuar banorët e zonës, altoparlantët ishin drejtuar nga brenda, në drejtim të vilës.

Policia kishte ngritur pika kontrolli në rrugë, ndërsa stafi i sigurisë kontrollonte me kujdes të gjithë personat që hynin në kompleks. Kamerierëve iu kërkua të dorëzonin telefonat celularë.

Njëri prej tyre tregoi:
“Na kërkuan të vendosnim ngjitëse mbi kamerën dhe mikrofonin e telefonit dhe më pas t’i fusnim në qese plastike. E dorëzova telefonin në orën 11 të paradites dhe ma kthyen vetëm pas mesnatës. Ishte hera më e gjatë që kam qëndruar pa telefon dhe ndoshta më bëri mirë.”

Burime të afërta me organizimin thanë se ceremonia përfshiu edhe elemente nga trashëgimia shqiptare e Dua Lipës. Gjatë festës pati muzikë dhe valle shqiptare të interpretuara nga anëtarë të komunitetit shqiptar lokal, ndërsa prindërit e Duas kërcyen dhe duartrokitën me entuziazëm.

Shkëmbimi i betimeve martesore nuk kishte vlerë ligjore, pasi çifti ishte martuar zyrtarisht fundjavën e kaluar në zyrën e regjistrimit në Marylebone. Ceremonia në Sicili u organizua kryesisht për rreth 150 familjarë dhe miq.

Përpara vilës ishte vendosur një gjysmë-rreth karrigesh dhe një pavijon në qendër, ku çifti shkëmbeu betimet.

Në ditën e fundit të festimeve që zgjatën tre ditë, nusja mbërriti rreth orës 18:00 sipas kohës lokale të Sicilisë, duke bërë një hyrje mbresëlënëse përgjatë një rruge private rreth 200 metra të gjatë./Indeksonline/


