10:17 / E Enjte, 30 Korrik 2020 / indeksADMonline

Brenda një prej burgjeve më mizore ku të dënuarit vriten për një dyshek!

Burgu i Tacumbu në kryeqytetin e Paraguait, është vend i ekstremeve.

Në dukje institucioni mund të duket si parajsa e një gangsteri pasi ofron bare, dyqane ëmbëlsirash dhe shërbime cilësore lavanterie.

Por këtu jo të gjithë të burgosurit marrin një krevat dhe ka që janë vrarë duke luftuar për një dyshek.

Tacumbu është gjithashtu burgu më i tejmbushur në Paraguai, me 4,000 të dënuar dhe vetëm 35 roje. Kjo bën që “teatri” në të vërtetë të drejtohet nga vetë të burgosurit.

“Tacumbu është shokues” thotë gazetari Raphael Rowe, i cili jetoi aty për një javë për reportazhin e tij “Burgjet më të ashpra të botës”.

“Të burgosurit përdorin droga dhe mbajnë haptazi thika. Kjo sepse duhet të mbrojnë veten e tyre, rojet janë shumë të pakta.

“Qindra vetë flenë jashtë, marrin droga – metamfetaminë, heroinë, krak – haptazi, para rojeve dhe njëri-tjetrit”.

“Në fakt autoritetet e lejojnë, pasi kështu ruhet paqja. Pa këtë do të mbretëronin vrasjet”.

Gazetari Raphael ka një vizion unik mbi jetën e burgut, pasi ka kryer 12 vjet në Britani për një vrasje që nuk kreu ai.

Në 1988, kur ishte 19 vjeç u dënua me burgim të përjetshëm në një çështje që rezultoi gabim identiteti. Dënimi i tij i gabuar u anullua në vitin 2000 dhe ai studioi për gazetar.

“Isha në një burg të sigurisë së lartë, ku liria dhe vendimet e tua të merren. Por këtu në Tacumbu, vendi nuk drejtohet nga autoritetet, por nga të burgosurit.”

Raphael qëndroi në një dhomë me dy të burgosur, por shpejt zbuloi se rreziku i vërtetë ishte jashtë qelisë, në zonën e përbashkët të quajtur “tinglado”.

“Njerëzit flinin jashtë, në dysheme. Në Tacumbu, njerëzit kërkojnë në koshat e mbeturinave për ushqim, bishta cigaresh apo para. Kur kërkon nëpër plehra është trishtuese pasi është një reflektim i shoqërisë. I fola një të burgosuri që po kërkonte në mbeturina dhe i thashë sesa shumë erë vinte.”

“Pastaj e pyeta se çfarë mendonin të tjerët për të. E pashë që u prek dhe se ndoshta po ia bënte vetes për herë të parë këtë pyetje. Ai mund të ketë kryer një krim, mund të jetë i burgosur, por është përsëri një qenie njerëzore.”

“Një nga gjërat më të çuditshme është se të burgosurit paguanin rojet për një vend për të fjetur. Ata që nuk kanë para flejnë jashtë, marrin droga e mbajnë thika.”

Burgu ka tregun e vet, ku mund të përfitojnë të gjithë si marangozët apo dhe artistët e tatuazheve.

Por Raphael mësoi se nuk ishte aq i sigurtë sa dukej.

“Një ditë po luaja bilardo me një djalë të quajtur Pablo dhe po bisedoja me të. Ishte i mbushur me tatuazhe, ishte këtu sepse kishte vrarë familjen e tij. Më pas një i burgosur erdhi dhe mori topat e bilardos dhe me to nisi të më qëllonte mua dhe grupin tim. Ishte një sulm i dhunshëm dhe i burgosuri kishte gjak në fytyrë, ishte sulmuar edhe vetë më herët”.

“Ajo që mësova këtu është se nëse trajton një njeri si një kafshë, ai reagon si një kafshë”, thotë Rafael.