BRESANA MË TRADITË NË VALLËZIM

E përgatiti: Nuridin Ahmeti
Nuk është rastësi që sot fshati Bresanë ka njërën nga shoqëritë më të suksesshme kulturo-artistike në Kosovë. Tradita e vallëzimit në këtë fshat ka ekzistuar edhe më herët. Këtë traditë më së miri e dëshmon edhe një foto lajm, apo siç e quanin drejtuesit e kësaj ndërmarrjeje “Fotografi fjalë”, të botuar në gazetën “Rilindja” të vitit 1966.

Në vitet e ’60-të, përgjegjësit e arsimit në Dragash kishin filluar aksionin “Kërkojmë klasën më të gëzueshme”. Në vitin 1966, ky aksion ishte fokusuar në shkollën fillore “29 Nëntori” (sot 28 Nëntori) të Bresanës.
Sipas gazetës “Rilindja” të vitit 1966, në garë ishin 21 paralele me afro 900 nxënës. Sipas programit, çdo paralele, me ndihmën e mësuesve dhe kujdestarëve, përgatiste nga një shfaqje, e cila prezantohej çdo javë.
Në vitin 1966, këtë aksion e fitoi klasa e 8-të e kësaj shkolle. Sipas traditës, klasa fituese e shfaqte programin edhe në fshatrat e tjerë. Kjo klasë, si fituese, programin e saj e prezantoi në fshatrat Blaç dhe Zaplluxhë, ku u prit shumë mirë nga publiku. Ndoshta, aksione të tilla duhet të vazhdojnë edhe sot.