10:19 / E Hënë, 29 Nëntor 2021 / Medina Shala

Britani e Madhe, konsiderohet mundësia e dozës përforcuese të vaksinës anti-COVID

Organi këshillues i vaksinës në Mbretërinë e Bashkuar ka vendosur të njoftojë më vonë nëse do të mbështesë një zgjerim të skemës përforcuese anti-COVID.

Deri më tani janë regjistruar nënë raste me variantin Omicron në Mbretëri të Bashkuar.

Prof Anthony Harnden, nënkryetar i Komitetit të Përbashkët për Vaksinimin dhe Imunizimin (JCVI), tha se do të ishte “e arsyeshme” të shkurtohej koha midis dozave dhe të zgjateshin përforcuesit për moshën nën 40 vjeç.

Rregulloret për maska dhe rregullat e izolimit do të paraqiten në Parlament më vonë.

JCVI këshillon vetëm qeverinë dhe se vendimi përfundimtar për masat për të luftuar COVID-in i takon asaj, por kryeministri Boris Johnson ka thënë se ka ndërmend të presë rekomandimet nga ekspertët shkencorë të komitetit.

Ndërkohë, Departamenti i Shëndetësisë ka njoftuar se më vonë do të mbahet një takim urgjent i ministrave të shëndetësisë nga grupi i kombeve G7, për të diskutuar zhvillimet e varinatit Omicron.

Dëshmitë e hershme sugjerojnë se varianti i ri Omicron, i raportuar fillimisht në Organizatën Botërore të Shëndetësisë nga Afrika e Jugut të mërkurën, ka një rrezik më të lartë të riinfektimit.

Qeveria skoceze njoftoi të hënën në mëngjes se gjashtë raste të variantit ishin identifikuar në Skoci.

Rastet e para në Mbretërinë e Bashkuar, të marra nga analiza e testeve të fundit pozitive nga i gjithë vendi, u konfirmuan të shtunën në Essex dhe Nottingham.

Rasti i tretë i identifikuar të dielën erdhi nga një vizitor që kaloi kohë në zonën Ëestminster të Londrës, megjithëse personi nuk është më në Mbretërinë e Bashkuar.

Agjencia tha se ishte “shumë e mundshme” që do të identifikohen më shumë raste me këtë variant në ditët në vijim.

Për shkak se ka edhe nivele të larta të rasteve të variantit dominues Delta, Sekretari i Shëndetësisë Sajid Javid tha në fundjavë se do t’i kërkonte JCVI të konsideronte mbështetjen e shtrirjes më të gjërë të vaksinave përforcuese./BBC