75 Mall Live Search
18:30 / E Martë, 25 Nëntor 2025 / MSH

Britania e gatshme t’i ofrojë ndihmë financiare Ukrainës

Kryeministri britanik, Keir Starmer tha sot në takimin online të “Koalicionit të të Gatshmëve” se Londra ishte e gatshme t’i bashkohej Bashkimit Evropian për t’i ofruar Ukrainës mbështetje financiare – bazuar në vlerën e aseteve të ngrira ruse, sipas “Reuters”.

“Kjo është mënyra më e mirë për t’i treguar presidentit rus, Vladimir Putin se ai duhet të negociojë në vend që të përpiqet të na tejkalojë, dhe kjo është mënyra më e mirë për ne – të jemi të gatshëm të mbështesim Ukrainën në luftë ose në paqe”, u tha Starmer udhëheqësve të Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjera evropiane gjatë takimit virtual.

“Ekipet e BE-së po punojnë pa ndërprerje për financimin. E di që udhëheqësit e BE-së do ta shqyrtojnë mbështetjen per Kiev në javët e ardhshme, ku po bëhet progres”, tha Starmer, shkruan atsh.

Ukraina sinjalizoi mbështetje për marrëveshjen kornizë për arritjen e paqes me Rusinë, por theksoi se çështjet e ndjeshme duheshin zgjidhur gjatë një takimi midis presidentit Volodymyr Zelensky dhe presidentit të SHBA-së, Donald Trump.