Britania e Madhe vlerëson angazhimin e Kosovës kundër terrorizmit
Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj ka pritur në takim një delegacion nga Britania e Madhe, të udhëhequr Richard Riley, drejtor i Departamentit për Krime Serioze në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe ambasadori britanik, Ruairi O’Connelli.
Në këtë takim ministri Sefaj e njoftoi delegacionin britanik për situatën e përgjithshme të sigurisë në Republikën e Kosovës dhe përpjekjet që po bëjnë institucionet e zbatimit të ligjit në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Theks i veçantë në këtë takim i vu luftimit të terrorizmit dhe masat të cilat kanë marrë ty dy shtetet, fillimisht në parandalimin e përfshirjes së qytetarëve në pjesëmarrjen në luftërat e huaja dhe ri-integrimin e qëndrueshëm.
Ministri Sefaj tha se mbështetja e Mbretërisë së Bashkuar ishte e tejet e madhe për konsolidimin e sektorit për sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës, duke theksuar se është i kënaqur që Policia e Kosovës ka pranuar konceptet e sigurisë të krijuara nga Mbretëria e Bashkuar, siç është Policimi i Udhëhequr nga Inteligjenca dhe Policimi në Komunitet.
Ai shtoi se duke aplikuar këto dy koncepte nga agjencitë e sigurisë dhe ekzekutuesit e ligjit në Republikën e Kosovës, është përgjigja e duhur për natyrën komplekse të krimit të organizuar dhe terrorizmit, por gjithashtu edhe përgjigje për sigurinë e brendshme dhe nivelin thelbësor të kërkesave për siguri nga qytetarët.
Delegacioni britanik vlerësoi angazhimet që ka bërë Kosova sa i përket luftimit të terrorizmit dhe u shprehën të gatshëm të ndihmojnë duke u bazuar edhe në përvojat e tyre, sa i përket luftimit të kësaj dukurie që tashmë ka përfshirë të gjithë botën./AktivPress