Britania i kërkon X-it të adresojë urgjentisht ‘deepfake’-t intime nga Grok
Britania i kërkoi të martën platformës “X”, të Elon Musk-ut, që të adresojë urgjentisht përhapjen e imazheve intime ‘deepfake’, të krijuara me kërkesë përmes chatbot-it të saj të integruar Grok.
Me këtë rast, Britania iu bashkua një proteste evropiane për një rritje të imazheve jo konsensuale në platformë.
Komentet vijnë pas raportimeve, përfshirë nga Reuters, se Grok, i nxitur nga përdoruesit, po krijonte një përmbytje imazhesh jo konsensuale të grave dhe të miturve me rroba të ngushta.
Ministrja e Teknologjisë, Liz Kendall, tha në një deklaratë se përmbajtja ishte “absolutisht e tmerrshme” dhe i kërkoi platformës së mediave sociale të vepronte shpejt, shkruan Reuters.
“Askush nuk duhet të kalojë nëpër përvojën e të parit të imazheve intime deepfake të vetes në internet,” tha Kendall.
“Ne nuk mund dhe nuk do të lejojmë përhapjen e këtyre imazheve poshtëruese dhe degraduese, të cilat synojnë në mënyrë disproporcionale gratë dhe vajzat. X duhet të merret me këtë urgjentisht”, deklaroi ajo.
X nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment, pas deklaratës së Kendall-it.
Krijimi ose ndarja e imazheve intime pa pëlqim ose materialeve të abuzimit seksual me fëmijë, duke përfshirë imazhet seksuale të gjeneruara nga inteligjenca artificiale, është e paligjshme në Britani.
Përveç kësaj, platformat teknologjike duhet të parandalojnë që përdoruesit britanikë të hasin përmbajtje të paligjshme dhe ta heqin atë sapo të bëhen të vetëdijshëm për të.
Të hënën, Komisioni Evropian tha se ishte në dijeni se X po ofronte një “modalitet pikant” dhe i dënoi imazhet si të paligjshme.

