16:24 / E Mërkurë, 29 Qershor 2022 / GF

Britania sanksionon njeriun e dytë më të pasur të Rusisë

Kushërira e Vladimir Putinit dhe njeriu i dytë më i pasur i Rusisë janë personat më të fundit të Kremlinit që janë sanksionuar nga qeveria e Mbretërisë së Bashkuar.

Britania e Madhe bëri të ditur të mërkurën vendosjen e sanksioneve ndaj oligarkut Vladimir Potanin, i përshkruar nga Londra si njeriu i dytë më i pasur i Rusisë dhe i cili ka blerë asete nga firmat që po largohen nga Rusia pas pushtimit të Ukrainës.

Potanin “vazhdon të grumbullojë pasuri” që kur presidenti Vladimir Putin urdhëroi pushtimin e Ukrainës, shkruhet në deklaratën e qeverisë britanike.

Banka franceze “Societe Generale”, e cila iu bashkua kompanive të tjera perëndimore që ndaluan aktivitetin e tyre në Rusi, muajin e kaluar finalizuan shitjen e filialit të tyre rus “Rosbank” te një firmë investimesh të financuar nga Potanin.

Potanin është gjithashtu edhe bashkëpronari gjigantit rus “Norilsk Nickel”. Revista prestigjioze “Forbes” e listoi atësi personin e dytë më tëpasur në Rusi me një kapital prej 27 miliardë dollarësh.

Një tjetër person i sanksionuar nga Britania është Anna Tsivileva, një kushëri i parë i Putinit që drejtonte kompaninë minerare për nxjerrjen e qymyrit “JSC Kolmar Group”.

“Sanksionet e sotme tregojnë se askush dhe asgjë nuk përjashtohet nga sanksionet, përfshi rrethin e brendshëm të Putinit”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë britanike.

“Për sa kohë Putini vazhdon sulmin e tij të përgjakshëm ndaj Ukrainës, ne do të përdorim sanksionet për të dobësuar makinerinë ruse të luftës”.