16:25 / E Hënë, 25 Maj 2020 / indeksADMonline

Britania shënon më së paku viktima të virusit që nga hyrja në izolim

Britania e Madhe e ka shënuar shifrën më të ulët ditor të viktimave të koronavirusit që nga fillimi i masave izoluese në mars. Gjatë 24 orëve të kaluara nga virusi i ri vdiqën77 persona.

Nga kjo shifër, 59 raste fatale u shënuan në Angli, tetë në Irlandën veriore, shtatë në Uells dhe tri në Skoci, shkruan “Metro UK”, transmeton Gazeta Express.

Numri preliminar i viktimave llogaritet duke i mbledhur të gjitha rastet nga katër shtetet e Mbretërisë së Bashkuar.

Rastet e reja u publikuan në kohën kur opozita britanike po e kërkon dorëheqjen e këshilltarit të kryeministrit Johnson, Dominic Cummings,  pasi u zbulua se ai kishte bërë qindra kilometra me veturë, duke i shkelur rregullat e izolimit.

Ndryshe, kryeministri Boris Johnson pritet të zhvillojë një takim me kabinetin qeveritar, ku do të diskutohet për lehtësimin e masave të izolimit për sektorë të caktuar të ekonomisë, përfshirë hapjen e disa dyqaneve të produkteve jo-elementare.

Për më tepër, qeveria britanike ka paralajmëruar se nga fillimi i qershorit do të hapë një kategori të caktuar të shkollave, pavarësisht kundërshtimit nga sindikatat e mësuesve, të cilët një hap të tillë po e vlerësojnë si të rrezikshëm.