75 Mall Live Search
16:10 / E Mërkurë, 03 Shtator 2025 / Z S

Britania vendos sanksione të reja ndaj Rusisë për dëbimin e fëmijëve ukrainas

Britania e Madhe vendosi të mërkurën sanksione të reja kundër zyrtarëve rusë dhe organizatave rinore të lidhura me atë që Londra e quajti politika e Moskës për t’i “dëbuar, indoktrinuar dhe militarizuar fëmijët ukrainas”.

Moska është akuzuar nga qeveritë perëndimore dhe aktivistët se ka dëbuar me forcë fëmijë ukrainas drejt Rusisë pasi e kishte nisur pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Gjykata Ndërkombëtare Penale në Hagë lëshoi fletarrestim në vitin 2023 kundër presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, për rrëmbimin e fëmijëve ukrainas.

Qeveria britanike njoftoi se do të vendosë sanksione ndaj “tetë individëve dhe tri organizatave të lidhura me shtetin rus”.

Ministria e Jashtme britanike tha se inteligjenca e saj e mbrojtjes gjeti se Moska ka ndjekur një “politikë afatgjatë të rusifikimit në territoret e pushtuara jashtëligjshëm të Ukrainës, duke synuar ta zhdukë identitetin kulturor dhe shtetësinë ukrainas”.

Sipas Qeverisë britanike, mbi 19.500 fëmijë ukrainas janë “transferuar ose dëbuar me forcë” në Rusi, përfshirë rreth 6.000 që janë zhvendosur në një “rrjet të kampeve të riedukimit”.

“Sapo të arrijnë atje, ata i nënshtrohen përpjekjeve të indoktrinimit që synojnë ta shkatërrojnë identitetin e tyre ukrainas dhe të mbjellin ndjenja proruse”, tha ajo në një deklaratë.

Ndër të sanksionuarit janë Anastasia Pavlovna Akkuratova, një zyrtare e Ministrisë së Arsimit, dhe Valery Maiorov, kreu i Qendrës së Programeve për të Rinj, një organizatë e financuar nga shteti, të cilën Londra e akuzon për përpjekje për t’i kthyer fëmijët në rajonet e pushtuara të Ukrainës kundër vendit të tyre.

Organizatat e sanksionuara përfshijnë Fondacionin Akhmat Kadyrov dhe presidenten e tij, Aymani Kadyrova, nënën e liderit çeçen, Ramzan Kadyrov, i cili është në listën e zezë po ashtu.

Qeveria britanike akuzon fondacionin për zhvillimin e programeve të riedukimit për fëmijët ukrainas, duke i detyruar ata t’i nënshtrohen “stërvitjeve militariste”.

“Politika e Kremlinit për dëbimin me forcë, indoktrinimin dhe militarizimin e fëmijëve ukrainas është e neveritshme”, tha ministri i Jashtëm britanik, David Lammy.

“Ajo tregon thellësinë e poshtërsisë ku është i gatshëm të zhytet presidenti Putin për t’i zhdukur gjuhën, kulturën dhe identitetin ukrainas”, shtoi ai.

Britania vendosi sanksione ndaj 10 zyrtarëve dhe organizatave të tjera të lidhura me politikën e dëbimit në nëntor të vitit 2024.

Aktivistët thonë se trupat ruse i kanë marrë shumicën e fëmijëve gjatë luftës nga jetimoret ose qendrat për të rinjtë me aftësi të kufizuara, ndërsa pjesën tjetër i kanë marrë nga familje të varfra, prindërit e të cilëve janë mashtruar nga forcat pushtuese./Indeksonline/