12:10 / E Martë, 30 Prill 2019 / indeksADMonline

Brnabiq flet për Samitin e Berlinit: Askush nuk e detyroi Serbinë për vazhdim të dialogut

Kryeministrja serbe, Ana Brnabiq ka thënë sot se në Samitin e Berlinit askush nuk detyroi Serbinë për vazhdim të dialogut pa u hequr taksa 100% dhe se Serbia nuk ndryshoi qëndrimin e saj mbi çështjen e Kosovës.

“Rezultati është se askush nuk detyroi Serbinë që të vazhdojë dialogun dhe Serbia nuk e ka humbur pozitën e saj e kjo është gjë mjaft e madhe”, tha Brnabiq e cila dje ishte në Berlin.

Kryeministrja serbe vuri në dukje se opinioni i Serbisë është respektuar, por që padyshim pati biseda mjaft të vështira.

“Ishte e vështirë të dëgjonim relativizmin e gjithçkaje që po ndodh në Ballkan, veçanërisht nga Prishtina dhe lëvizjet e saj të njëanshme”, tha ajo.

E pyetur se çfarë e pengon vazhdimin e dialogut, Brnabiq tha se kishte mungesë të plotë të guximit politik nga njerëzit që kanë vendosur taksën.

Ajo tha se ka shpresa për vazhdim të dialogut për që nuk ka pritshmëria sa i përket rezultateve.

Brnabiq tha se Merkel dhe Macron treguan guxim për të marrë një pjesë të përgjegjësisë së dialogut. Kur u pyet se çfarë është diskutuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ajo tha se mendonte se ai kishte një vizion të ndryshëm të marrëdhënieve në Ballkan dhe sa i përket serbëve dhe shqiptarëve.

Ajo tha se pret marrëdhënie të mira, por që beson se politika duhet të jetë më e sinqertë, sidomos në situata të ndërlikuara.

Brnabiq foli edhe në lidhje me vazhdimin e takimit në Berlin, që është planifikuar të mbahet më 1 korrik në Paris, ku tha se nëse ftohen  do të marrë pjesë.

“Nëse unë mund të kontribuoj, unë jam këtu. Serbia do të bëjë gjithçka që mund të mbajë stabilitetin e ndërtimit në Ballkan”, shtoi ajo./Indeksonline/