75 Mall Live Search
13:11 / E Hënë, 09 Shtator 2019 / indeksADMonline

Bërnabiq: Një palë s’mund të fitojë dhe tjetra të humbë gjithçka

Kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq tha sot se shpreson që pas zgjedhjeve në Kosovë, bisedimet për një zgjidhje afatgjatë, të qëndrueshme dhe kompromis midis Beogradit dhe Prishtinës do të vazhdojnë.

“Shpresoj që pas zgjedhjeve, ne do të kemi njerëz që janë mjaft të guximshëm dhe të përgjegjshëm, mbi të gjitha ndaj qytetarëve tanë, dhe të aftë të flasim për një zgjidhje afatgjatë, të qëndrueshme. Do të jemi atje”, tha Bërnabiq në një konferencë shtypi, në Luksemburg.

Bërnabiq, duke iu përgjigjur pyetjeve të një gazetari nga Luksemburgu, tha se Beogradi është i përkushtuar për të gjetur një zgjidhje afatgjatë me Prishtinën, por që duhej të ishte një zgjidhje kompromisi.

“Një palë nuk mund të fitojë gjithçka dhe tjetra të humbë gjithçka,” tha Brnabiq.

Ajo shpjegoi se dialogu u pezullua kur Prishtina zyrtare vendosi taksat për mallrat nga Serbia dhe BeH.

“Nëse ndaloni qarkullimin e mallrave, atëherë nuk kemi çfarë të flasim,” tha Bërnabiq, duke shtuar se Prishtina zyrtare duhet të tërheqë vendimin për taksën, e vendosur në nëntorin e vitit të kaluar.