Brnabiq: Nuk kam respekt për Limajn, negociatat do të doja t’i udhëhiqte ndonjë profesor
Kryeministrja serbe, Ana Brnabiq, ka thënë se nuk tërhiqet nga deklaratat skandaloze të bëra ditë më parë, ku i quajti shqiptarët e Kosovës si “njerëz të zbritur nga mali”.
Brnabiq madje ka thënë se nuk do të kërkoj falje për këto deklarata, ‘sepse ka thënë të vërtetën’.
Ajo ka thënë se një thënie e tillë nuk ishte për kombin shqiptar, por për të treguar se nuk ka respekt, për presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn dhe zv/kryeministrin, Fatmir Limaj.
Sipas saj ajo do të dëshironte që negociatat e palës tjetër t’i udhëhiqnin profesorët.
“Kam miq shqiptarë… Fatmir Limajn, Hashim Thaçin, Ramush Haradinajn nuk i respektoj dhe do të dëshiroja që të mos isha e detyruar të jem në të njëjtën hapësirë me Haradinajn, por kjo është puna ime për shkak të paqes e të stabilitetit dhe të ardhmes së gjeneratave të reja”, është shprehur kryeministrja serbe.