BSPK-ja thotë se kërkesat e SBAShK-ut janë të drejta dhe legjitime

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli, ka thënë se BSPK-ja thekson rëndësinë dhe urgjencën e shqyrtimit të kërkesave të ngritura nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit.
Hykolli tha se si një federatë që përfaqëson me dinjitet interesat e mësimdhënësve dhe punëtorëve të arsimit në Kosovë, SBAShK-u ka paraqitur kërkesa legjitime që sipas tij, kanë për qëllim përmirësimin e kushteve të punës, respektimin e kontratave kolektive dhe fuqizimin e një sektori kritik për të ardhmen e vendit.
“Arsimi, si shtyllë e zhvillimit të një shoqërie demokratike dhe të drejtë, meriton një përkushtim maksimal nga të gjitha institucionet përkatëse. Çdo neglizhencë në trajtimin e këtyre çështjeve reflekton drejtpërdrejt jo vetëm në mirëqenien e mësimdhënësve, por edhe në cilësinë e edukimit që marrin brezat e ardhshëm.Si BSPK, ne jemi të përkushtuar për të mbështetur SBASHK-un në rrugëtimin e tij për të arritur zgjidhje të qëndrueshme përmes dialogut konstruktiv me Qeverinë dhe Ministrinë e Arsimit, e Shkencës, e Teknologjisë dhe të Inovacionit. Greva ose protesta nuk janë qëllimi ynë, por mjetet e fundit për të treguar rëndësinë e çështjeve të ngritura dhe për të kërkuar vëmendje institucionale”, thuhet në reagim.
Tutje, Hykolli tha se vetëm përmes dialogut të sinqertë, të bazuar në respektin e ndërsjellë dhe në mirëkuptim, mund të arrihen zgjidhje që përmbushin pritshmëritë e punëtorëve të arsimit dhe të sigurojnë stabilitet në sistemin arsimor./Indeksonline/