75 Mall Live Search
10:03 / E Mërkurë, 09 Dhjetor 2020 / OSH

Bugajski: BE është ndërmjetësues i dobët në dialogun Kosovë-Serbi

Eksperti në fondacionin “Jamestown” në Uashington, Janusz Bugajski, tha se administrata e Bidenit duhet të bindë vendet e BE-së që ta njohin Kosovën.

Në një seancë Komisionit të jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan kishte në qendër Ballkanin.

Ekspertët e Ballkanit i bënë thirrje administratës së ardhshme të drejtuar nga presidenti Joe Biden, që të jenë më shumë të vëmendshëm ndaj Ballkanit dhe të bashkëpunojnë me Bashkimin Evropian për të zgjidhur problemet e mbetura në rajon.

Janusz Bugajski, ka deklaruar se pa përfshirjen amerikane, BE-ja është një bashkëbisedues më i dobët, më i përçarë dhe me më pak ndikim.

“Qëllimi i bisedimeve Serbi-Kosovë duhet të jetë krijimi i një harte për njohjen ndërshtetërore. Kjo është zgjidhja e vetme e qëndrueshme që do t’i çlirojë të dyja vendet për të ndjekur aspiratat e tyre drejt integrimit në BE dhe zhvillimit ekonomik. Dialogu pa një qëllim të qartë shpërqendron dhe paralizon të dyja palët”, tha Janusz Bugajski.

Gjithashtu, Bugajski tha se takimi në Shtëpinë e Bardhë në shtator me udhëheqës të Serbisë dhe Kosovës riangazhoi Uashingtonin në dialog.

“SHBA-ja nuk mund të përqendrohet thjesht te faktorët ekonomikë dhe të neglizhojë vendimet kryesore politike dhe diplomatike. Marrëdhëniet ekonomike nuk do të normalizohen, nëse marrëdhëniet politike dhe diplomatike mbeten anormale”, tha ai.