Buja prezanton programin për arsimin: Mësim tërë ditor nga klasa e parë deri në të pestën

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Komunës së Lipjanit, Shukri Buja, ka prezantuar një nga programet kryesore të tij në fushën e arsimit – mësimin e tërë ditës për nxënësit nga klasa 0 deri në klasën e pestë.
Buja tha se ky model do të sjellë një qasje të re në arsimin fillor, duke u dhënë fëmijëve mundësi më të mëdha për të mësuar, për të zbuluar talentet dhe për të zhvilluar kreativitetin e tyre.
“Nxënësit gjatë gjithë ditës do të ndjekin mësimin sipas kurrikulës, do të marrin ndihmë për detyrat e shtëpisë dhe do të kenë hapësirë për aktivitete sportive, artistike e kulturore. Përveç kësaj, do të kenë një drekë të shëndetshme dhe një ambient të sigurt”, deklaroi Buja.
Sipas tij, programi do të fillojë si pilot në tri shkolla të komunës, një në qendër dhe dy në zonat rurale. Kjo, me synim që të shtrihet më pas në të gjitha shkollat e Lipjanit.
Buja theksoi se ky projekt është dëshmi e vizionit të tij për një të ardhme më të mirë për fëmijët e komunës.