Bujqit duan kompenzim të dëmit ose vazhdojnë me protesta!

Sot, dhjetëra bujq protestuan para zyrës së Ministrisë së Bujqësisë me kërkesën për kompenzim të dëmeve të shkaktuara nga breshëri në gusht.
Dëmet e shkaktuara nga breshëri janë mbi 80% të kulturave bujqësore të mbjellura.

“Me insistimin tonë gjatë protestës erdhi edhe Ministri i Bujqësisë i cili deklaroi që do të kompenzohen vetëm 25% e dëmeve të shkaktuara. Për neve si bujq kjo është e papranueshme dhe e pamjaftueshme për të mbuluar dëmet e shkaktuara, andaj edhe reagimi jonë nuk do të ndalet. Nëse në afat prej 10 ditësh, Ministria nuk merr parasysh kërkesën tonë për mbulim të 50% të dëmit të shkaktuar, ne do të jemi përsëri në rrugë”, ka thënë njëri nga bujqit i cili ishte në protestë, Kreshnik Xhafolli.

Gjatë protestës poashtu u ngrit shqetësimi edhe për subvencionet dhe kriteret e tyre, ku u kërkua që të ndihmohen edhe bujqit dhe blegtorët e vegjël. Pra të subvencionohen edhe ata që kanë më pak se 5 krerë gjedhe, dhe më pak se 2h tokë të mbjellur.

Protestuesit u ndanë të qetë me gatishmërinë për të vazhduar me protesta në rast se kërkesat tona nuk mirren parasysh.