16:16 / E Premte, 31 Gusht 2018

“Bukëpjekësit kosovarë do të kenë çmim të arsyeshëm nga kjo kompani!”

Një qytet i pastër jo vetëm me aksione të caktuara por në formë kontinuale ishte tema që i’u vu theks më së shumti në takimin që kishin sot përfaqësuesit e Odës së Afarizmit të Kosovës me Kryeshefin Ekzekutiv të Kompanisë Regjionale Pastrimi,  Feim Salihu.

Qëllimi i këtij takimi është njohja reciproke e të dyja palëve si dhe diskutimi për mundësitë e bashkëpunimit sa u përket sfidave të bizneseve.

Salihu theksoi se pavarësisht faktit që kjo Kompani Publike përballet me probleme të mëdha, ka bilanc pozitiv dhe ka koeficientin më të lartë të anazhimit.

Salihu theksoi se janë disa sektorë që paraqesin më së shumti pengesa në operim, e të cilat janë:

Ø  Mishtoret –eshtrat dhe produktet e mishit kërkojnë një trajtim special, andaj hudhja e tyre vend e pa vend është një sfidë për këtë kompani,

Ø  Produktet medicinale – amputet, plancetat dhe mbetjet e spitalit trajtohen me kujdes të veçantë, dhe

Ø  Mungesa e deponive të materialit ndërtimor dhe materialeve inerte, që përbën një tjetër sfidë të operimit.

Gjatë këtij takimi, gjithashtu u kërkua që në zonat ku operojnë bizneset që mbeturinat kanë natyrë të veçantë, përveç kontenjerëve të plastikës, të ketë edhe kontenjerë metalik, për shkak të zjarrit që mund të shkaktojnë.

Po ashtu u diskutua edhe për problemet me të cilat përballen bukëpjekësit, ku z. Salihu premtoi se nuk do të ketë ngritje të çmimit për këtë sektor, por do të analizohen dhe do të jetë një çmim i arsyeshëm për furrtarët.

OAK së bashku me Kompaninë Pastrimi u zotuan që do të kontribuojnë vazhdimisht që të tejkalohen të gjitha problemet që mund të shfaqen në këtë drejtim, dhe të punojnë drejt krijimit të një ambienti sa më të pastër.

Gjithashtu OAK falënderon Kryeshefin Salihu, i cili u shpreh shumë i hapur për bashkëpunim, dhe të ofrojë përkrahje në zgjidhjen e problemeve që mund të kenë bizneset me kompaninë që ai përfaqëson, çofshin ato të përgjithshme për një sektor të caktuar apo individuale.

Në këtë takim OAK u përfaqësua nga: Anëtari i bordit Hysni Zogaj dhe Zyrtarja Qendresa Ibrahimi./Indeksonline/