Bulliqi dhe Mustafa-Gashi ndërmarrin veprime për përmirësimin e qendrës për trajtimin e pacientëve me Covid-19

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi dhe drejtoresha e Shëndetësisë, Egzona Mustafa- Gashi kanë vizituar qendrën për trajtimin e pacientëve me Covid-19 në Podujevë.

Ata kanë treguar se këtij institucioni mjekësor i janë shtuar edhe disa shtretër.
“Ashtu siç jemi zotuar në fushaten zgjedhore kemi ndërmarrë veprimet e menjëhershme për përmirësimin e kushteve në Qendrën për trajtimin e pacientëve me Covid-19.
Kjo qendër tash ka një hapësirë dhe ambient më të përshtatshëm për pacientët dhe stafin mjekësor. Katër shtretërve, që kishte për trajtimin e pacientëve me Covid-19, tashmë i janë shtuar edhe shtatë të tjerë, duke çuar në 11 numrin e tyre.

Gjithashtu, Qendra për trajtimin e pacientëve me Covid-19 është pajisur edhe me dy bombola të tjera të oksigjenit dhe janë siguruar edhe medikamente mjekësore të nevojshme.
Prioriteti kryesor i angazhimeve të mia në sektorin e shëndetësisë do të jetë krijimi i kushteve sa më të mira për pacientët që janë të prekur me Covid-19, të cilët kërkojnë trajtim në këtë qendër.

Krahas furnizimit me shtretër dhe bombola të oksigjenit, në bazë të kërkesës së stafit mjekësor, kemi siguruar edhe një automjet shtesë për nevojat e kësaj qendre dhe është angazhuar një vozitës nga administrata komunale, që do të jetë në dispozicion të kësaj qendre”. /Indeksonline/


