Bulliqi: Për fitore në Llap punuam për 4 vjet qeverisje me transparencë e duar të pastra

Shpejtim Bulliqi ka marrë besimin e plotë të qytetarëve llapjanë, për të udhëhequr Komunën e Podujevës edhe për një mandat të dytë.
Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje, Bulliqi, në zgjedhjet e 12 tetorit arriti të siguronte hiç më pak se 20 mijë e 407 vota, apo 53,42 %, transmeton IndeksOnline.
“Ne kemi punuar për 4 vjet për të pasur këtë besim të qytetarëve. Puna jonë është besimi i qytetarëve që na kënë dhënë ditën e djeshme. Nuk ka qenë dicka që nuk është pritur, për arsye se ne kemi punuar për 4 vjet dhe kemi qenëshumë pranë qytetarëve dhe qytetarët e kanë vlerësuar punën tonë dhe angazhimin tonë”, ka thënë Bulliqi për IndeksOnline.
Tutje, Bulliqi ka rënditur disa nga arsyet, sipas të cilën shtynë llapjanët t’ia besojnë një mandat të dytë.
“Ka shumë arsye, por njëra prej arsyeve që ne për 5 vite të mandatit tonë, kemi një herë e gjysëm më tepër investime se sa të tjerët të cilët nuk kanë arritur të bëjnë. Kemi shumë punë dhe projekte që kanë prekur dhe kanë përmisuar jetën e qytetarëve, qoftë urgjenca, qoftë stacioni i autobusëve, qoftë polikliniikat specialistike, qoftë numri i madh i qerdheve publike, gjithësej 8 brenda mandatit, numri i madh i institucioneve shkollore, 10 objekte shkollore për një mandat dhe shumë punë tjera të mira. Por ajo që është shumë e rëndësishme është transparenca dhe qeverisja me duarë të pastërta për këtë mandat tonin”, theksoi ai.
Mes tjerash, Bulliqi ka përmendur disa nga top-projektet, që e presin atë në mandatin e ri.
“Ne tashmë e kemi bërë një program pune, atë që e kemi paraqitë para qytetarëve tonë. Është funksionalizimi i trafikut urban, ngrohja qendrore, impianti i ujërave të zeza, akumlacioni i Pollatës, parku industrial edhe shumë e shumë punë tjera që pritet gjatë këtij mandati t’i bëjmë”.
Ai ka lënë dukshëm prapa me vota, kundër kandidatin e LDK-së, Ekrem Hyseni, i cili mori jo më shumë se 14 mijë e 932 vota apo 39,08%. /IndeksOnline/
