Bulliqi se humb ‘dakikun’, nis aktivitetet si kryetar i Podujevës

Kryetari sapozgjedhur i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, ka vizituar sot Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Podujevë.
Gjatë kësaj vizite Bulliqi është njoftuar nga menaxhmenti i QKMF-së për punët dhe angazhimet e tyre të përditshme, nevojat dhe sfidat me të cilat ata përballen gjatë punës së tyre në shërbim të qytetarëve.

Kryetari Bulliqi premtoi përkrahjen e tij dhe angazhim maksimal të Ekzekutivit komunal për QKMF-në, duke pasur parasysh gjendjen e saj, sidomos gjatë kohës së përballjes më pandeminë Covid-19.

“Do të jem për vizita të shpeshta në QKMF, për t’i parë nevojat dhe për t’i bërë intervenimet e nevojshme që ndikojnë në plotësimin e nevojave për punë dhe për shërbime cilësore ndaj qytetarëve llapjanë”, tha Bulliqi.
Ai vizitoi edhe Shërbimin emergjent dhe qendrën e triazhimit për Covid-19. Nga ekipi mjekësor në këtë repart, kryetari Bulliqi u njoh me situatën epidemiologjike dhe procesin e testimit për Covid-19.

Kryetari Bulliqi falënderoi ekipin mjekësor për angazhimin në këtë situatë të vështirë pandemike./IndeksOnline/
