10:19 / E Hënë, 13 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Bulliqi: Shumë shpejt do të dal raporti përfundimtar për Demarkacionin (Video)

Kryesuesi i Komisionit Shtetëror për Shënimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, Shpejtim Bulliqi sot ka raportuar para Komisionit parlamentar për Integrime Evropiane lidhur me gjetjet për demarkimin e kufirit Kosovë-Mal i Zi.

Blerta Deliu – Kodra kryetare e këtij Komisioni tha se ratifikimi i kufirit është kusht për liberalizimin e vizave dhe e kemi pasur  të arsyeshme të raportoni për procesin e demarkimit.

Kryesuesi Bulliqi për herë të parë ka raportuar para deputetëve. Ai në fillim tha se më 13 tetor të këtij viti iu është dhënë një detyrë të bëjnë një vlerësim lidhur me punën e ish komisionit.

“Kemi pasur për detyrë edhe gjetjen e fakteve të reja me analiza efektive ose kontroll efektiv. Për një muaj e gjysmë ka qenë edhe punë në terren për hulumtimin e materialeve brenda dhe jashtë vendit. Edhe ne jemi të brengosur për këtë proces, mirëpo po punohet në mënyrë efikase në mënyrë që të dalim me rezultate finale”, tha ai.

Bulliqi ka shtuar se për fat të keq nga ajo që është gjetur nga puna e ish komisionit, ai ka një bazë krejt tjetër juridike.

Bulliqi më shumë është marr me punën e ish komisionit për procesin e kaluar.

“Komisioni Meha ka tejkaluar kompetencat e veta , sepse ka qenë i themeluar për demarkimin e jo vijë të re kufitare”, tha Bulliqi.

Bulliqi më tek ka njoftuar se janë duke punuar për raportin përfundimtar, duke treguar se ata po mundohen që një gjë e tillë të bëhet sa më shpejt të jetë e mundshme.

Ai ka thënë se kanë presionin mediak dhe të qytetarëve për shkak se e dinë që nuk ka kohë të pritet më tej, megjithatë ai ka kërkuar durim, duke thënë se është e rëndësishme që të kihet kujdes, pasi raporti përfundimtar do të nxjerrë të dhëna shumë të rëndësishme.