Bundesliga rinis me super ndeshjen mes dy rivalëve historik

Politika dha dritën jeshile për të rifilluar futbollin në Gjermani dhe vetëm pak orë më vonë federata vendosi që gjithçka të nisë më 16 maj.
Topi do të nisë të rrotullohet në dy kategoritë më të mëdha fundjavën e ardhshme teksa 36 klubet kanë marë një letër informuese nga shefi ekzekutiv i federatës gjermane të futbollit ku bëhet e ditur se Bundesliga dhe Bundesliga 2 do të rinisin më 16 maj 2020.
Lajmi i madh i rifillimit të kampionatit nuk është shoqëruar ende me kalendarin javor, por sipas gazetës prestigjioze Kicker, pritet që gjithçka të rinisë aty ku u ndalua, me javën e 26-të në program për tu luajtur.
Plani përfundimtar i garës ende nuk është bërë i ditur nga federata por nëse konfirmohet që siparin e Bundesligës pas kësaj ndalese ta ngrejë java 26 atëherë do të kemi që në fillim përballjen e zjarrtë Borusia Dortmund–Schalke 04, derbi i magjishëm i Ruhrit.
Ndërkohë në pritje për të saktësuar mënyrën e rinisjes së edicionit dhe kalendarin përfundimtar të javëve të mbetura, federata i ka bërë thirrje ekipeve që të vendosen në karantinë duke nisur që këtë fundjavë.
Karantina do të kryhet në qendrat stërvitore me ekipet që duhet të qëndrojnë të grumbulluara ndërkohë që nuk do të mungojnë edhe testet e herëpashershme.