Bunjaki flet për ndeshjen historike me Haitin: Ishte më emocionuesja nga të gjitha

Sot bëhen gjashtë vite kur Kosova theu izolimin disa dekadash dhe zhvilloi ndeshjen e parë miqësore nën organizimin e UEFA-së dhe FIFA-së.
Ky moment historik ka mbetur i freskët në memorjen e trajnerit Albert Bunjaki që ishte i angazhuar për ta seleksionuar, grumbulluar dhe drejtuar skuadrën.
Bunjaki në një intervistë për Indeksonline e cilëson këtë ndeshje si më emocionuesen nga të gjitha 24 ndeshjet që ai ka drejtuar.
“24 ndeshje e kam drejtuar Kombëtaren, si në miqësore si në kualifikime, realisht ndeshja që na ka dhënë më së shumti emocione, jo vetëm mua por të gjithëve, ka qenë ndeshja me Haitin“, ka thënë ish-trajneri i Kosovës.

“Ajo ka qenë ndeshje historike, thyerje e izolimit me dekada në sportin e Kosovës e në veçanti e futbollit“.
“Më kujtohet rruga kur kemi shkuar nga Prishtina për në Mitrovicë ka qenë e stërmbushur nga dy anët me flamuj me njerëz, ka qenë edhe simbol i thyerjes së izolimit“.
Bunjaki ka treguar se sa e vështirë ka qenë për të grumbulluar lojtarët, një projekt që kishte nisur qysh në vitin 2009.
“Ka qenë shumë e vështirë grumbullimi i lojtarëve, kushtet dihen qysh kanë qenë, shumë të vështira por kemi bërë një seleksionim në mënyrë shumë profesionale ku nga viti 2009 kishim filluar me fazën e testimeve dhe grumbullimeve“.

“Atëherë ka pasur shumë debate pse nuk janë ftuar lojtar të Superligës së Kosovës, mirëpo në kohën kur kanë ardhë Samir Ujkani, Enis Alushi, Loret Sadiuku është dashur ta shohim anën profesionale“, ka thënë ndër të tjerash Albert Bunjaki.
Në atë sfidë, Kosova barazoi pa gola por rezultati ka qenë në radhë të dytë.
Bunjaki e drejtoi Kosovën në kualifikimet e para në histori, ato për Kupën e Botës, Rusia 2018 duke u rreshtuar me kundërshtar të vështirë si Kroacia, Islanda, Ukraina e Turqia. /IndeksOnline/
