20:04 / E Hënë, 01 Janar 2018 / indeksADMonline

Bunjaki i përkushtuar në shkrimin e një libri, flet për aventurën në Përfaqësuesen e Kosovës

Albert Bunjaki ishte një prej trajnerëve më të përfolur gjatë vitit 2017. Sa ishte te Përfaqësuesja e Kosovës u kritikua shumë, por kishte edhe lavdata për punën e palodhshme që sa vite në Kosovë.

Ai është njeriu kryesor që Kosova tani ka një përfaqësuese fantastike me futbollistë të talentuar dhe cilësor.

Por, për fat të keq atij nuk i shkoi mirë gjatë eliminatorëve të Kupës së Botës “Rusi 2018”, që pastaj rezultoi me largim.

Bunjaki flet për shumë gjëra në intervistën ekskluzive për IndeksOnline.

IndeksOnline: Çfarë jeni duke bërë tani:

“Pas 15 viteve punë realisht është hera e parë që kam pak kohë për një pushim dhe po mundohem me shfrytëzu maksimalisht. Po lexoj, reflektoj punën timë të bërë, po takohem me miq e familjar. Thjeshtë po mbushem energji”

IndeksOnline: Në fillim kishte pak lojtarë, tani ka super lojtarë. Si arritet ta krijoni këtë përfaqësuese të talentuar dhe cilësore?

“Ka qenë një punë mjaftë e lodhshme, me mija e mjera kilometra janë bërë. Shumë takime, në shumë raste kamë qenë i vetmuar. Mirëpo kemi arritë me kriju një Kombëtare me lojtarë ma potencial të mundshëm shqiptar. Një numër i madh i talentave nga Kombëtaret tjera. Mendoj se ka qenë e rëndësishme vullneti i lojtarëve për me ardhë, por ka qenë edhe projekti për ta krijuar një Kombëtare të re, që edhe e kemi arritur. Njëkohësisht ka qenë e rëndësishme me qenë real, me ia tregu gjendjen dhe kushtet, vështirësitë dhe situatën sic ishte. E rëndësishme ka qenë edhe takimi fizikisht. Ka pas edhe lojtar që jam takuar 10 herë vetëm për të ardhur te momenti final”.

IndeksOnline: Jeni kritikuar shumë për lojën ofansive, cila ishte arsyeja që shpesh keni startuar me formacion sulmues?

“Unë i takoj atyre trajnerëve që mundohet me pas një mbrojtje të organizuar dhe një sulëm kreativ. Seleksionimi i lojtarëve për mua ka qenë e rëndësishme që lojtari me pas cilësi, shpejtësi dhe teknik duke nisur nga Bernardi, Celina, Rashica, Zeneli e shumë tjerë. Shpejtësia, teknika janë dy faktor të rëndësishëm në futbollin ndërkombëtar. Me kalimin e kohës jemi organizu edhe në mbrojtje. Sidomos në ndeshjet kundër Kroacisë, Islandës dhe Ukrainës. Është e vërtetë që Kosova ka lojtarë me shpejtësi dhe tenik më shumë se Kombëtaret tjera. Prandaj ky ka qenë dallimi që është parë në lojë me ekipet tjera”.

IndeksOnline: E ardhmja juaj? A keni ndonjë ofertë?

“Realisht unë oferta kam pasur edhe gjatë kohës kur kam qenë në Kosovë. Po të kisha edhe oferta nga Real Madridi e Barcelona nuk do të largohesha nga Kosova, pasi kam qenë i përqëndruar në projektin që pata fillu. Tasht jam me një fazë tjetër. Do të pushoj deri në qershor, përvec nëse vjen ndonjë oferta nga një ekip interesant apo Kombëtare e fuqishme, përndryshe do të pushoj, do të merrem më shumë me vetëvetën. Kam fillu me punu ma shumë edhe me librin që pritet me u botua në vitin e ardhshëm. Që ka të bëjë me historinë e futbollit të Kosovës. Vështirësitë e punës për t’i bindur këta lojtarë dhe për ta krijuar këtë Kombëtare. Titulli i librit “Selektori, krijimi i një Kombëtare”.

IndeksOnline: Çfarë ndodhi me Besart Berishën dhe Donis Avdiajn? Kanë qenë dy probleme të mëdha në përfaqësuese?

“Çdo Kombëtare, çdo ekip ka vështirësi. Mirëpo për fat të mirë tu i marr parasysh vështirësitë që kemi pas, mendoj se ka pasur pak probleme. Problemi më i cekshëm apo mos pajtimi ka qenë me Besart Berishën. Këtë vendim e kam marrë me Muharrem Sahitin dhe Gencin, së bashku me Besartin. Ka qenë vendim taktik, sepse kemi vendosur të luajmë me 5 mbrojtësa. Pra, vendimi ka qenë taktik, dhe këtë do ta bëja sërish, sepse nuk ka pasur ndonjë altreanativë tjetër. Ndërsa sa i përket sjelljes së Besart Berishës mendoj se ka qenë shumë korrekt në kamp. E mbas kampit janë probleme tjerë, që nuk e di as kush i ka shkruar. Sidoqoftë nuk kam pasur asnjë problem me lojtarët. Rasti i Donis Avdiajt është krejt tjetër, ai ka qenë i lënduar, ne i kemi bërë kontrollimin, kemi kontaktu me klubin. Pra nuk ka pasur ndonjë problem me Donisin. Ai është lojtar potencial, jam shumë i kënaqur që Donisi është së bashku me lojtarët tjerë që i takojnë Kosovës. Ai nuk mund të shkoj tjetër. Të ardhmen e tij, ai e vendos vet. Ai do të jetë një lojtarë i rëndëisishëm për Kosovën. Probleme tjera nuk kemi pasur, tu i pas parasysh vështirësit. Për fat të mirë kemi ditur t’i mengjojmë këtë gjëra mjaftë mirë. Për ne ka qenë me rëndësi, askush mbi Kombëtaren”.

IndeksOnline: Cili ishte futbollisti më qesharak në përfaqësuese?

“Vedat Muriqi, me të vërtetë është një lojtar mjaftë i kompletuar. Por, ka edhe aftësi apo kapacitet të humorit. Është shumë i shpejtë në përgjigje. Krijon atmosfera me lojtarë me shtabin teknik. Muriqi, Muriqi dhe Muriqi është ai që krijon humor. Është lojtar fantastik në të gjitha aspektet”.

IndeksOnline: Shpesh futbollistët nuk pajtohen me trajnerët. A keni pasur ju ndonjë situatë të tillë, që ka krijuar ndonjë situatë të pakëndshme në zhveshtore?

“Me të vërtetë duke i pasur parasysh shumë vështirësi që kemi pasur, për fat të mirë kemi dit me e meanxhu situatën. Asnjëherë nuk kam rënë në ndonjë pozit që lojtari ta ketë ndonjë reagim të keq ndaj meje, normalisht se pakënaqësi ka pasur, ka edhe nëpër klube tjera. Mirëpo lojtarët kanë ditur ta menaxhojnë këtë situatë në aspekte profesionale. Dhe nuk ka pasur asnjë reagim më të voglin verbal me asnjë lojtarë tasht e nëntë vite. Ndoshta kjo ka qenë edhe fuqia kryesore që me thjeshtësinë time dhe menaxhimin tim, lojtarët e kanë kuptu që tasht e sa vite kam punu këtë drejtim dhe shumë thjeshtë i kanë ditur kufinjt e mi”.

IndeksOnline: Momenti më i mirë në përfaqësuese?

“Momenti më i mirë me Kombëtaren ka qenë ndeshja me Haitin. Duhet me përjetu atë moment. Deri diku i afrohet edhe ndeshja me Finlandën, por me Haitin ka qenë momenti më i rëndësishëm, më prekës më emocional për mua për lojtarët për të gjithë ne. Është një moment që edhe nesër nëse bëhem kampion Bote me një Kombëtare apo cfardo suksesi që të arrij, gjithmonë do ta vendosi në pjesën më të lartë të karrierës sime, momentin e lojës kundër Hatitit dhe Finlanden. Pastaj normalisht edhe ndeshjet kundër Turqisë, Kroacisë janë lojë emocionale, pasi janë kombëtare të fuqishme. Por, momenti me Haitin dhe Finlandën janë dy lojë më të rëndësishme në karrierën time”.

IndeksOnline: Momenti më i keq?

“Momenti më i keq apo më i vështirë, ka qenë kur jemi nisur për në Finland me pesë lojtarë në listë. Ishte e pakuptimt dhe e vështirë për t’u menaxhuar. Ngaqe në listë kemi pasur vetëm pesë lojtarë. Moment i vështirë ka qenë edhe situata e Loret Sadikut, të cilin për 2 vite nuk kemi arritur ta rikthejm në Kombëtare. Një lojtar që ka qenë shumë i rëndësishëm. Këto dy raste i kisha nda me opinionin. Edhe humbja 6 me 0 kundër Kroacisë ka qenë e dhimbshme”.

IndeksOnline: Të jetosh: Në Kosovë apo Suedi?

“Mendoj që ma praktikisht është më lehtë me jetu në vendet që janë më të organizuar si Suedia. Por, jeta më e mirë është në Kosovë, pasi është gjuha, kultura, vendi, familja është gjithcka ajo pjesë që unë jam rrit. Pra në Kosovë është më bukur kurse në Suedi më lehtë. Mundohem me i kombinu të dy vendet, herë në Kosovë herë në Suedi.

IndeksOnline: Nëse do të kishit rastin ta merrje ndonjë lojtarë në klubin e ri. Cili do të ishte ai ose ata?

“Mjaftë e vështirë t’i ndaj ndonjë lojtarë, është e pamundur. Kisha me thënë në mënyrë pak më diplomatike, unë kisha pas dëshirë me i pas të gjithë në skuadër, pasi është e pamundur me i nda këta lojtarë. Por nëse një lojtar unë duhet me zgjedh, atëherë po filloj prej fundi, me Samir Ujkanin. Po të kisha pasur mundësi me zgjedh do t’i merrja të gjithë”.

 

Intervistën e realizoi: Granit Tërstena