Bunjaki kujton ndeshjen me Haitin, tregon si iu humbën trenerkat
5 mars 2014 do të kujtohet si dita kur i erdhi fundi izolimit të futbollit kosovar.
FIFA lejoi që Kosova të zhvilloj ndeshje miqësore dhe Haiti është kundërshtari i parë, shkruan Indeksonline.
Albert Bunjaki, trajneri i parë i kombëtares më në fund do të prezantonte një projekt të jashtëzakonshëm që kishte filluar në vitin 2009.

Me kushte shumë të vështira dhe pa infrastruktur do të fillonte një ëndërr e madhe e gjithë kosovarëve që e pëlqejnë futbollin.
Bunjaki në një prononcim për Indeksonline tregon për emocionet që i dhuroi ajo ndeshje që u zhvillua në stadiumin olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë.
“Po lirisht mund të them se ishte loja më e rëndësishme me emocionale ndonjëherë që Kosova do të ketë. Madje edhe më shumë se ndeshja e parë kundër Finlandës apo Kroacisë. Në fakt kjo lojë ishte simbolika e thyerjes së izolimit të futbollit kosovar me dekada të tëra“, ka thënë trajneri i parë i kombëtares, Albert Bunjaki.

“Ishte mjaftë e vështirë pasi që nuk ishim të përgatitur në infrastruktur dhe në aspektet ekonomike kishim vështirësi. Është dashur të kontaktoj mikun tim dhe kontribuuesin e madh për sportin kombëtar, Xhelil Musa, që të na siguronte me ndihmë private 60 palë trenerka për lojë ngase nuk kishim pajisje e të mos folmi për kushte tjera që në atë kohë ishin shumë të vështira“, ka shtuar Bunjaki.
Trajneri gjithashtu ka bërë të ditur se në aeroport kishin humbur pesë palë trenerka derisa është detyruar që së bashku me Tord Grip, Ilir Azemin dhe disa lojtarë të tjerë janë detyruar të veshin të njëjtën fanellë.
Albert Bunjaki ka treguar edhe realizimin e projektit për të grumbulluar futbollistët që do të luanin në atë ndeshje me shi.

Albert Bunjaki dhe Tord Grip në stërvitje në Kastriot
“Në aspektin sportiv si gjithmonë ne ishim më përpara se në aspektin Organizativ. Projekti im kishte filluar në vitin 2009 dhe pas dy fazave të seleksionimit gruporë dhe më vonë seleksionimit individual me pothuaj 99% të lojtarëve vendor me datën 5 mars 2014 filloj edhe faza e tretë, ajo e konkurrencës dhe ku për herë të parë pas mijëra e mijëra kilometrave, orëve udhëtim dhe takimeve ftuese për tu bashkuar kombëtares kosovare, për herë të parë u afruan futbollist si Ujkani, Sadiku Ardian Gashi e Celina e shumë të tjerë pa harruar edhe Rashkaj, Alushi, Hasani, Nushi, Bunjaku, Përdedaj etj. që kishin ardhur më herët“, ka shpjeguar trajneri.

“Tubimi normal ishte mjaft i vështirë ngase në këtë kohë paga ime për gjashtë vite ishte simbolike në letër dhe udhëtimet e mia i financoja privatisht. Pra ishte shumë e vështirë por motivimi dhe dëshira për të krijuar këtë kombëtare ishte më e madhe“, ka përfunduar Albert Bunjaki.

Në ndeshjen e parë të zhvilluar në “Adem Jashari”, Kosova barazoi 0-0 me Haitin derisa më vonë mori pjesë në kualifikimet në Kupën e Botës dhe më pas fitoi grupin në Ligën e Kombeve. /IndeksOnline/
