15:06 / E Mërkurë, 12 Qershor 2019

Burimi që shëron lëkurën dhe lukthin ndodhet në Kosovë

Endrit H. (21) gati dy vjet nuk ia kishte dalë të gjente ilaçin për të shëruar lëkurën nga lythat. Gjatë kësaj periudhe, ai kishte marrë trajtime dhe barna të ndryshme mjekësore, të cilat nuk kanë pasur efekt, derisa kishte filluar të përdorte ujin e fshatit Baicë, të cilin ia kishin rekomanduar disa familjarë.

“Ky burim është i mrekullueshëm”, thekson Endriti, i cili nuk dëshiron të flasë me identitet të plotë. Uji i këtij burimi menjëherë e dha efektin. Problemet me lëkurën ishin të vjetra, mirëpo, në pamundësi për të gjetur një ilaç mjekësor, ai e përdori ujin që buron në fshatin Baicë e Kolshit në Lipjan. Lashtësia e burimit nuk mbahet mend.

Endriti theksoi se nuk do të donte që asnjëherë ta përjetonte të njëjtën ndjenjë të dhimbjes, por edhe të turpit që e kaplonte kur dikush ia shihte në trup linë e ujit dhe lythat.

“Gjithçka që bëra ishte pastrimi i trupit me atë ujë, e kam përdorur rreth një muaj dhe lija e ujit, por edhe të gjitha lythat në trupin tim u larguan”, tha ai, derisa në dorë e mbante shishen me ujin që po shërben edhe për shërim. Gjatë tërë kohës i buzëqeshte fytyra.

“Jam shumë i kënaqur me këtë ujë. Shpresoj që ajo nuk do të përsëritet më, por edhe nëse ndodh, unë e di tashmë ilaçin për shërimin e tyre”, tregoi ai.

Përvojat që argumentojnë rëndësinë e këtij burimi nuk janë të pakta. Zgjidhja e problemeve me lëkurën, por edhe të atyre me lukthin, janë rastet më të efektshme të tij. Edhe banorët e fshatit tregojnë përvojat e tyre rreth efektit të këtij uji. Sipas njërit nga banorët më të moshuar të këtij fshati, mrekullia e këtij uji është e pashpjegueshme, sepse i shëron shumicën e problemeve me lëkurën, si aknet, të thatin, lythat e lloje të tjera të problemeve, por mrekullia më e madhe e tij qëndron në shërimin e problemeve në lukth.

Thuajse i gjithë vendi e përdorin këtë ujë, prandaj, sipas plakut të fshatit, pothuajse asnjëherë nuk kishte dëgjuar se dikush në këtë fshat ankohet nga lukthi. “Përderisa ne e pimë ujin e këtij burimi, asnjëherë nuk ka ndodhur, por as nuk besoj që do të ndodhë të kemi probleme me lukthin. Unë nuk di se çfarë është ta përjetosh atë dhimbje, edhe pse i kam 65 vjet” , shprehet me siguri ai. Sipas tij, rasti i dy vëllezërve që tregojnë se sa herë pinë ujë tjetër jashtë burimit, iu shfaqen probleme në lukth, e tregon edhe më mirë rëndësinë e këtij burimi natyror.

Sytë po i shkëlqenin e një gëzim ia kishte kapluar fytyrën derisa po rrëfente për një të afërme që i shpëtoi operacionit në lukth në Gjermani. Kishte disa probleme në lukth. Pas rekomandimit të vëllait, erdhi në Kosovë dhe ka qëndruar me muaj për ta përdorur ujin. Pas një kohe, kur ishte kthyer në Gjermani, i kishte bërë analizat dhe mjekët kishin konstatuar se problemet me lukthin ishin larguar dhe nuk kishte më nevojë të operohej.

“Uji është i mirë fort, ma të mirë është zor me gjetë” theksoi ai.

Mirëpo, për shkak se nuk ka një analizë të këtij uji, disa gastrologë dhe dermatologë nuk kanë pranuar të japin komente rreth kësaj veçorie të këtij burimi. Përkundër disa rasteve që kanë pasur efekt, ata thonë se kjo nuk mund të jetë e qëndrueshme.

“Dy stinë” në një burim

Gjithçka po rridhte natyrshëm nga bjeshkët e gjelbra të Berishës, por nuk është një rrjedhë e zakonshme. Në mes të një guri rrjedh një burim që ndahet në dy degë. Në një pjesë të atij guri buron ujë i ngrohtë, kurse në pjesën tjetër i ftohti.

Avujt e tij vërehen nga larg, sidomos në stinën e dimrit, pasi uji buron akoma më i ngrohtë se zakonisht, por përkundër kësaj, efekti i tij gjithmonë mbetet i njëjtë. Ndoshta kjo ka krijuar shpresë tek një pjesë e madhe e vizitorëve se uji i këtij burimi do t’i shërojë.

Vizitorët e këtij burimi janë të shumtë. Përveç fshatrave përreth, ka vizitorë edhe nga qytetet e ndryshme si: Drenasi, Lipjani, Prizreni, Gjilani, Ferizaj e shumë qytete të tjera. Gjithashtu, një pjesë të atyre vizitorëve të shumtë e përbëjnë edhe mërgimtarët. Por, në kujtesën e plakut ka mbetur një çift i vjetër nga Prizreni që herë pas here e gjejnë veten pranë këtij burimi. Me plot mallëngjim tregonte se ata nuk konsumojnë ujë tjetër, përveç këtij. Ata janë këtu thuajse gjithmonë, në çdo stinë të vitit. Madje edhe dimrit, kur kushtet për ta kaluar rrugën me baltë shpeshherë janë të mundimshme.

Mbeturina gjithkah

Me kalimin e stinës së verës, rruga që të dërgon tek burimi çdo herë e më shumë fillon të bëhet më e mundimshme. Në të djathtë të rrugës kryesore që është e asfaltuar, fillon rruga plot baltë, e gjatë afro 200 metra, që të shpie tek burimi, pamja e të cilit nga larg është e mrekullueshme, mirëpo gjithçka fillon të zbehet kur afrohesh më pranë tij.

Përveç rrugës, plakun e mundojnë edhe mbeturinat e tepërta të cilat janë hedhur nga banorët, por edhe nga vizitorët e pandërgjegjshëm. Vendi ku buron uji është i pastër, mirëpo pjesa ku ai derdhet është tmerrësisht e ndotur. Aty mund të shohësh lloj-lloj mbeturinash.

Banorët presin që një ditë dikush të ndihmojë në rregullimin e burimit dhe ky ujë të mos shkojë dëm.

(*Autorja është studente e vitit të parë në Departamentin e Gazetarisë së Fakultetit të Filologjisë në Universitetin e Prishtinës)